Urdhri për pensionet, Berisha i “kapitulloi” ish-ushtarakët që në vitin 2005
Jonida Tashi
Odiseja e pensioneve për ish-ushtarakët zë fill që në vitin 2005, kohë në të cilën kryeministri i sotëm i vendit, shefi i qeverisë asokohe, ka lëshuar urdhrin “famëkeq” për trajtimin financiar të kësaj kategorie. Bëhet fjalë për Urdhrin Nr.175, datë 9.11.2005, për ndryshime në Ligjin Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Është pikërisht ky urdhër, që Berisha e lëshoi dy muaj pas uljes në karrigen e shefit të qeverisë shqiptare në vitin 2005, që “kapitulloi” ish-ushtarakët në “luftën” për pensionet e tyre. Ky fakt vërtetohet më së miri po të kemi parasysh se edhe pse kanë kaluar plot 4 vjet nga ajo kohë, sërish çështja e pensioneve të ish-ushtarakëve nuk ka gjetur ende një zgjidhje të papranueshme për këta të fundit, pasi institucionet përgjegjëse në çdo vendim të marrë ose ligj të hartuar kanë marrë në konsideratë vetëm urdhrin e Berishës dhe jo kërkesat e palës së përfshirë në këtë “amulli” shkresash pa fund.
Urdhri i Berishës
Një ndër emrat më të njohur mes ish-ushtarakëve, jo vetëm për kundërshtimin e hapur argumentues që i ka bërë vendimeve të marra gjatë këtyre katër viteve nga qeveria, për trajtimin financiar të kësaj kategorie, por edhe për njohjen e mirë të çështjes së pensioneve, Kadri Muka, shpjegon se çfarë përcaktonte urdhri i Berishës dhe cilat kanë qenë efektet e tij. Sipas ish-majorit të Ushtrisë Shqiptare, Kadri Muka, i dalë në lirim në vitin 1994, pas këtij urdhri, sikurse dihet, u hartua dhe u miratua Ligji Nr.9481, datë 16.02.2006, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese si në papajtueshmëri me Kushtetutën në shkurt të vitit 2007. Sot, dy vjet pas këtij vendimi që detyron rregullimin në tërësi të Ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005, të ndryshuar është miratuar projektligji i ri i qeverisë për pensionet e ish-ushtarakëve, që jo vetëm nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe i kundërvihet atij.
Kthimi mbrapa
Projektligji për trajtimin financiar të ish-ushtarakëve, i miratuar nga qeveria para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, sipas Mukës, është një projekt pas dy projekteve të mëparshme, i kthyer në pikën e fillimit të 9 nëntorit 2005, ku u urdhërua mosrespektimi dhe moszbatimi i Statusit të Ushtarakut, përkeqësimi i trajtimit të ushtarakëve me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pension suplementar pleqërie. Në arsyetimin e Kadri Mukës, ky projekt nuk është as më pak e as më shumë se sa kopja e urdhrit të kryeministrit Berisha, Nr.175, datë 9.11.2005 për ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
Kadri Muka: Çfarë urdhëronte zoti Berisha në urdhrin Nr.175, datë 9.11.2005
Në mënyrë ultimative, në të urdhërohet: “Pensionet e parakohshme të mos jenë më shumë se paga kalimtare. Tavani i pensioneve të parakohshme të mbetet sa pensioni maksimal i pleqërisë, 15700 lekë. Në rast punësimi, ushtarakët të marrin një pension, sa pensioni minimal i pleqërisë, 7850 lekë. Pensioni suplementar i pleqërisë të jetë 1% për çdo vit shërbimi, po jo më shumë se 50% e pensionit të pleqërisë. Gjatë periudhës së trajtimit me pension të parakohshëm, masa e kontributeve të kryhet për pagën minimale në shkallë vendi. Ushtarakët e dalë në rezervë, lirim e pension para vitit 1991 të mos parashikohen në skemën e përfitimeve. Efektet e përfitimeve nuk duhet të jenë para vitit 2005”. Ky urdhër nuk qe i rastit, ai vinte pas moszbatimit të Statusit të 3 korrikut 1991 prej tij; pas miratimit të Ligjit Nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, që i kundërvihej këtij statusi. Ai vinte pas moszbatimit edhe të vetë këtij ligji, ndërkohë që ishte President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Këtë “avaz” antistatus dhe antiligj ai nuk e harroi. Pas rënies nga fiku prej revoltës popullore, që erdhi si rezultat i keqqeverisjes, i abuzimit me pushtetin dhe i shpërdorimit skandaloz të pushtetit, e pati të pamundur të vijonte keqtrajtimin dhe persekutimin e mëtejshëm të ushtarakëve. Ai nuk mundi të ndal përmirësimin e Ligjit 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe fillimin e trajtimit me pensione të parakohshme e suplementare të tyre që filloi më 1 janar 1999, megjithëse fatkeqësisht dhe padrejtësisht u riciklua në politikë. Por, me t’u ricikluar në pushtet, me të zënë karrigen e shefit të ekzekutivit shqiptar, ju rikthye avazit të vjetër, atij të diskriminimit dhe poshtërimit të ushtarakëve. Një nga aktet e para që ndërmori pas bërjes kryeministër qe pikërisht lëshimi i urdhrit për kufizimin e të drejtave që Statusi dhe Ligji i Sigurimit Shoqëror Suplementar u kishte dhënë ushtarakëve, si ulja e masës së përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe atij suplementar të pleqërisë. Ndonëse urrejtja e tij ndaj ushtarakëve u bë realitet me Ligjin e 16 shkurtit 2006, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoj atë ligj si antikushtetues dhe ja “ngriu buzëqeshjen ironike” në buzë. I inatosur deri ku nuk mban, si kundërvënie ai nuk zbaton vendimin e kësaj gjykate, edhe pse Kushtetuta në pikën 1 të nenit 132 thotë: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”. Me këtë akt lejoi dhe mbështeti pa rezerva paligjshmërinë në trajtimin e ushtarakëve.
Projektligji
Që projektligji është kopje e urdhrit të zotit Berisha Nr.175, datë 9.11.2005, nga i cili buroi një ligj i cili u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese më 26 shkurt 2007 e vërteton gjithçka që pasqyrojnë nenet e tij. Pensionet e parakohshme të mos jenë më shumë se paga kalimtare”,- thotë urdhri i Berishës. Neni 13 pika 2 germa “b” e projektligjit fikson se: Për ushtarakët që kanë paguar kontribute shtesë masa e pensionit nuk mund të jetë më e madhe se dy pensione baze përcaktuar nga Këshilli i ministrave, shtuar me 2% të pagës mesatare referuese, por jo më shume se 20% e pagës mesatare mujore të muajit të fundit të punës. Me këtë, po tu futemi llogarive për secilën gradë del se masa e pensionit për këtë kategori në raste të rralla janë ata që me këtë shtesë të arrijnë të marrin pagën kalimtare. Tavani i pensioneve të parakohshme të mbetet sa pensioni maksimal i pleqërisë, 15700 lekë, përcakton urdhri. Nga ana e tij, projektligji në pikën 2 germa “a” e nenit 13 e projektligjit shprehet: “Masa e pensionit nuk mund të jetë më e madhe se dy pensione bazë përcaktuar nga Këshilli i Ministrave”. Dy pensione bazë sot arrijnë në 16480 lekë. Në kundërshtim me këto, ushtarakët sipas nenit 35 dhe 49 të Ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” e kanë fituar dhe e fitojnë në masën 50% të pagës referuese për 12 vjet vjetërsi femra dhe 15 mashkulli dhe për çdo vit tjetër 2% të pagës referuese. (Për 12 e 15 vjet 50% të pagës referuese; për 18 vjet 62% femra dhe 56% mashkulli; për 22 vjet 70% femra dhe 64% mashkulli; për 27 vjet 80% femra dhe 74%; për 30 vjet femra 86% dhe mashkulli 80% të pagës referuese). Urdhri thotë: “Në rast punësimi, ushtarakët të marrin një pension sa pensioni minimal i pleqërisë, 7850 lekë”. Po këtë bënë edhe projektligji, kur në pikën 4 të nenit 13 shprehet: “Në rastet kur përfituesi punësohet në vende të tjera pune masa e pensionit...bëhet sa një pension baze i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave”.
Pensioni i parakohshëm
Pensioni bazë i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave sot është 8240 lekë. Sipas pikës 2 të nenit 35 të Statusit të Ushtarakut të 23 marsit 2004, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk ndërpritet në rast punësimi jashtë radhëve të Forcave të Armatosura (FA). “Pensioni suplementar i pleqërisë të jetë 1% për çdo vit shërbimi, po jo më shumë se 50% e pensionit të pleqërisë”,- urdhëron Berisha në atë urdhër. Ndërsa sipas nenit 14 të projektligjit, pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50% e pensionit të pleqërisë që përfituesi gëzon në momentin e lindjes të së drejtës për pension suplementar. E drejta që u jep ligji në fuqi, Ligji Nr.9418, datë 20.05.2005 është 40% të pensionit të pleqërisë për 12 vjet femra dhe 15 vjet mashkulli, plus 2% për çdo vit tjetër shërbimi, por pa kaluar gjithë masa e pensionit 60% të masës së pensionit të pleqërisë. Është më se e qartë se gjithë qëllimi i projektligjit nuk është zbatimi i rekomandimit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta përputhur Ligjin “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH”, me parimet e shtetit të së drejtës, me parimet Kushtetuese të së barazisë para ligjit për kushte të njëjta veprimtarie; të parimit të së drejtës së fituar, atij të sigurisë juridike dhe të pritshmërisë së ligjshme. Qëllimi i vetëm i projektligjit është plotësimi i oreksit, urrejtjes së kryeministrit për ushtarakët dhe dëshirës së madhe të tij për t’i persekutuar e diskriminuar ata, shpalosur në urdhrin Nr.175, datë 9.11.2005 si dhe në konferencat e shtypit që pasuan pas këtij urdhri dhe në seancën e 16 shkurtit 2006 të Kuvendit, që miratoi ligjin e shfuqizuar në papajtueshmëri me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese më 26 shkurt të vitit 2007, por edhe më pas në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kur u diskutua një projekt i mëparshëm.
9 Nentor 2009