Zgjedhjet lokale, probleme në vendvotimeve serbe
Përfaqësues nga organizatat monitoruese të procesit zgjedhor më 15 nëntor, kritikojnë institucionet përgjegjëse për moscaktimin e vendvotimeve në zonat serbe në Kosovë. Kjo gjë, sipas tyre, duhet të bëhet sa më parë. Përfaqësues nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, që do të bëjë monitorimin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, kanë hedhur akuza në drejtim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kuvendeve Komunale Zgjedhore për moscaktimin e qendrave të votimit në zonat e banuara me shumice serbe në Kosovë. Ata thonë se vonesat në caktimin e këtyre vendvotimeve paraqesin problem për votuesit. Udhëheqësi i këtij koalicioni, Ismet Kryeziu, thotë se një gjë e tillë do të duhej të ishte shqetësuese për Kuvendet Komunale Zgjedhore. “Bazuar në argumentet dhe faktet, që ne i kemi hasur në terren, sidomos në vendbanimet dhe në komunat e reja serbe, ku është një fenomen që po ndodh për arsye se strukturat paralele, të cilat vazhdojnë punën e tyre në objektet publike, që janë të parapara si shkolla, për organizimin e zgjedhjeve, sipas të gjitha gjasave nuk do të lejojnë që aty të mbahen zgjedhjet”,- deklaron Kryeziu. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë, zotohet t’i ketë bërë gati të gjitha përgatitjet e duhura në lidhje me përcaktimin e vendvotimeve në të gjitha komunat ku janë paraparë të mbahen zgjedhjet.
9 Nentor 2009