KQZ “sekuestron” kutitë e Fierit, numërimi pezull
BLEDAR HOTI
Në orën 15:45 ka kaluar pragun e portës kryesore furgoni që transportonte 3 kutitë e famshme të Libfoshës, për të cilën u protestua pambarimisht për dy ditë me radhë. Karvani i makinave që solli 3 kutitë e KZAZ numër 20 të Fierit ishte i ndarë në këtë mënyrë, fillimisht ishte furgoni i policisë, në radhë të dytë vinte makina me 3 kutitë, më pas makina tip fouristradë dhe më pas një furgon tjetër policie. Bashkë me to ishin dhe gazetarët që kishin ndjekur gjatë gjithë kohës udhëtimin e tyre nga Fieri drejt selisë së KQZ-së në Tiranë. Në makinë janë parë edhe deputeti Pirro Lutaj, i cili ka shoqëruar transportimin e tre kutive të votimit. Tre kutitë e kësaj zone janë të Qendrave të Votimit me numër 3197, 3188 dhe 3185 me 2087 zgjedhës. Dy kutitë mbajnë anash një shirit të kuq, në të cilën shkruhej “kuti e parregullt”. Së bashku me këto kuti kanë qenë edhe 100 kutitë e tjera të kësaj KZAZ-je. KQZ-ja nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar në lidhje me faktin se kur do të numërohen kutitë për 3 qendrat e votimit që ndodhen në godinën e saj.
Problemet me KZAZ 18
Ndërkohë që këto kuti pranë KZAZ 20 u larguan, pezull mbeten kutitë e KZAZ me numër 18 po në Fier. Ende nuk dihet se kur ato do të zhvendosen. Një vendim i orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm i ka dhënë zgjidhje problemit, duke vendosur që kutitë të shpallen të pavlefshme dhe të nisen pranë KQZ-së. Kjo mesa duket do të bëhet së shpejti, ndërsa ambientet vazhdojnë të ruhen nga uniformat blu, por paralel me ta në qendrën e numërimit të votave janë ngujuar komisionerët, të cilët duan ta ruajnë vetë votën brenda kutive. Brenda tyre ndodhen fletët e zgjedhjeve të tri lagjeve “Sheq”, “1 Maji” dhe “Afrim”. Ndërsa nuk dihet se çfarë vendimi do të merret ende me kutinë e vetme të KZAZ 22 në Lushnjë dhe të dy kutive në Patos. Por burime të brendshme deklarojnë se ato edhe mund të përcillen më vonë për në selinë e KQZ-së, por nuk hidhet poshtë edhe një mundësi që dy kutitë e Patosit të numërohen aty, pra në Patos. Gjithsesi kjo nuk do të ndryshonte gjë, pasi ato janë vetëm rreth 200 vota. Ndryshimi bëhet në rast se këto 200 vota i përkasin PDI-së. Gramoz Ruçi deklaroi mbrëmë për median se, “me kërkesën tonë u vendos transportimi i kutive për t’u numëruar në KQZ. Transporti do të bëhet ditën, jo natën. Kemi garancinë e ndërkombëtarëve. Tani them të shpërndahemi qetësisht”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar mbrëmë situatën në lidhje me çështjen e KZAZ numër 18. Kryekomisioneri Arben Ristani bëri të ditur se për momentin nuk mund të merret një vendim për kthimin e kutive të votimit, pasi atje ka pasur disa grumbullime njerëzisht dhe nuk mund të transportohet natën”. Kanë mbetur dy kuti të pa numëruara, që nuk pranohen të merren në shqyrtim nga KZAZ, por në të njëjtën kohë rezultojnë që vendimet janë marrë nga ana e tre anëtarëve të KZAZ-së. Përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj, propozoi marrjen e vendimit për pezullimin e katër anëtarëve të PD-së. Por demokrati Kosovrasti kërkoi që të zbatohet e njëjta skemë për të realizuar numërimin në KQZ. Por një gjë e tillë nuk u pranua nga ana e gjashtë anëtarëve të komisionit. Kreu i KQZ-së propozoi që të shtynte vendimin përfundimtar për këtë KZAZ, duke pritur që të merrej informacion në orët e para të ditës së sotme për ecurinë e procesit. Qarku i Fierit mbetet më problematiku në lidhje me numërimin e votave. Katër kuti votimi në katër qarqe kishin hapur probleme, çka solli dhe mosmbylljen e procesit, çka do të detyrojë KQZ-në që t’i numërojë ato në Tiranë.
qarku fier
Aleanca e Ndryshimit
PD 54761 vota
PR 3753 vota
PAA 1748 vota PDI 4619 vota PAD 418 vota
BLD 81 vota
PLL 2737 vota
AMIE 19 vota
PADS 98 vota
PBK 685 vota
Bashkimi per Ndryshim
PS 82961 vota
PSD 3675 vota
PDS 992 vota
PBDNJ 526 vota G99 1162 vota
Aleanca Soc. për Integrim
LSI 10440 vota
PSV 358 vota
Numri i zgjedhësve që kanë votuar 178.103