E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Me Kosovën, kundër terrorizmit

Terrorizmi ndërkombëtar nuk njeh kufinj e as popuj. Kështu u shpreh Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, duke shtuar se të gjithë janë të rrezikuar nga terroristët, të cilët janë të gatshëm të sulmojnë në cdo kohë dhe në cdo vend, ndërkohë që ka përshëndetur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të parandaluar aktet e mundshme terroriste.

“Besoj se të gjithë ne në njëfarë mënyre jemi të rrezikuar nga terrorizmi ndërkombëtar. Terrorizmi nuk bënë dallime as sa i përket kufijve, popujve apo edhe jetravet të njerëzve të pafajshëm. Ne fatkeqësisht kemi parë se ata janë të gatshëm që të sulmojnë në çdo vend, në çdo kohë dhe në çdo shtet. Dhe në këtë aspekt, mendoj se autoritetet e Kosovës ndajnë së bashku me ne përkushtimin që të ngrejnë aftësitë për të zbuluar çdo rast të tillë”, tha Christopher Dell, Ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi tha se Kosova nuk do të jetë një vend i celulave terroriste. “Askush nuk është imun nga terrorizmi, megjithatë, mendoj se Kosova nuk do të jetë vend i celulave terroriste. Ne kemi kapacitete të mjaftueshme që të luftojmë këtë fenomen dhe forcat tona bashkërisht me ndihmën e miqve tanë nuk do të lejojmë që të jetë vend i celulave terroriste, do ti luftojmë me të gjitha forcat”, u shpreh Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Të enjten forcat policore të Kosovës arrestuan në qytetin e Mitrovicës Bajram Asllanin, mbi të cilin rëndojnë akuzat e prokurorit publik për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut, “për përkrahje ndaj terroristëve dhe planifikim për vrasje, rrëmbim, gjymtim, ose lëndim të personave, si dhe dëmtim të pronës në ndonjë shtet të huaj”.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›