E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-OSBE apel politikës: Përfundoni reformën zgjedhore

TIRANË- Përfundoni reformën zgjedhore. Është ky apeli që ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE-së Eugen Wolfarth i bëjnë edhe njëherë klasës politike shqiptare. Deklaratat e tyre janë bërë në tryezën me temë "Teknologjitë e reja në zgjedhje dhe administrimi i tyre”.

Ambasadorët kanë kërkuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, por në thelb të saj ata kanë renditur respektimin e afateve për përfundimin e saj, si një nga pikat kyce në kuadër të integrimit.

Ambasadori Arvizu ka theksuar se është e rëndësishme që palët të bëjnë kompromis në mënyrë që kodi zgjedhor të jetë afatgjatë.
“Kodi aktual është bazë e mirë, por ka disa boshllëqe, të cilat duhen realizuar. Duhen respektuar afatet kohore që gjërat të mos lihen për në momentin e fundit. Respektimi i afateve do të bëjë të mundur që të mos i lihen përgjegjësitë palës tjetër dhe të sabotohen zgjedhjet e 2013-ës” ka theksuar Arvizu .

Sipas Wollfarth, duhet të adresohen gjithë propozimet e bëra nga OSBE/ODIHR për të mundësuar një reformë zgjedhore të standardeve më të mira.
“Reforma zgjedhore është një proces kompleks. Është bërë progres, por ka ende punë për t`u bërë. Reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda afatit. Duhet rezultat cilësor dhe besim mes palëve politike. Palët duhet të adresojnë të gjitha rekomandimet e OSBE-së. Reforma zgjedhore është një proces që i përket klasës politike shqiptare” ka theksuar ambasadori.

Ndërsa Kryeparlamentarja Topalli në fjalën e saj ftoi klasën politike të mundesojnë në kohën e duhur amendamentet e Kodit që plotësojnë rekomandimet e OSBE.
“Reforma zgjedhore është detyrë. Në rolin tim garantoj mbështetje të plotë për punën tuaj të përbashkët”, theksoi Topalli.

(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›