E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Obama në Çikago feston ditëlindjen

Presidenti Barak Obama mbushi sot 50 vjet. Pas një beteje të gjatë politike për buxhetin, presidenti Obama u kthye në qytetin e tij, Çikago dhe filloi festimet për ditëlindjen me 2400 miq e dashamirës.

“Dua para së gjithash t`ju them se nuk ka dhuratë më të mirë për ditëlindjen se ta kaloj këtë natë me ju”, iu drejtua ai të pranishmëve. Mbrëmja festive e organizuar në një sallon në Çikago, shërbeu edhe si grumbullim fondesh për fushatën e Presidentit Obama për zgjedhjet e 2012. Bileta më e shtrenjtë kushtoi afro 36 mijë dollarë.

Ndër aktivitetet e organizuara, të ftuarit ndoqën edhe interpretime nga artistë të njohur, përfshirë Xhenifer Hadson. Festimet vazhdojnë me një pritjen në Shtëpinë e Bardhë.

Disa qindra miq e bashkëpunëtorë pritet të marrin pjesë me ftesë të presidentit. Urimet e para për ditëlindjen, Presidenti Obama i mori nga Presidenti rus Dmitri Medvedev, i cili i telefonoi dje, ndërsa përshëndetja më e veçantë u shënua në distriktin financiar të Nju Jorkut, në Wall Street.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›