E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA Qeveria siriane te ndale dhunen ndaj protestuesve

Shtetet e Bashkuara dënuan përdorimin e dhunës nga autoritetet siriane në shtypjen e protestave antiqeveritare, ndërsa pjesa veriore e Sirisë është shndërruar në një skenë luftimesh të përgjakshme e numri i civilëve që largohen drejt Turqisë rritet me orë. 

Shtëpia e Bardhë tha se qeveria është duke e drejtuar Sirinë drejt një rruge të rrezikshme dhe apeloi për një fund të menjëhershëm të brutalitetit dhe dhunës. Ndërsa një zëdhënës i OKB-së njoftoi se presidenti Assad nuk i ka dalë në telefon Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës, Ban Ki Moon, ndërsa ky i fundit është përpjekur të bisedojë për ndaljen e represionit.

Trupat qeveritare njoftohet të kenë hapur zjarr mbi turmat duke lënë mbi 32 të vdekur e shumë të plagosur. Fushata ushtarake për shtypjen e trazirave popullore ka marrë përmasa të reja dhe ka detyruar mijëra civilë të lënë vendin për t’u larguar drejt Turqisë fqinje.

Dëshmitarët thanë se ushtria siriane hyri në qytetin verior, Mural al Numan, ku më herët kishte pasur përleshje dhe nisën të arrestojnë ata që i cilësuan si kundërshtarë të armatosur. Të vrarë ka pasur në Kabun, në afërsi të Damaskut, në Deraa, qendra e trazirave dhe në Latakia, në qytetin port të Mesdheut.

Mësymja e ushtrisë pretendohet se ka ardhur si përgjigje ndaj bandave të armatosura që sipas autoriteteve vranë më shumë se 120 ushtarë në Xhisr al Shugur, në fillim të javës. Mbi 4 mijë civilë kanë kaluar kufirin drejt Turqisë, ndërsa zyrtarët turq kanë deklaruar se Xhisr al Shugur me 50 mijë banorë, është gati i boshatisur.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›