Tiranë, vidhet kasaforta me 30 milionë lekë
Grabitet kasaforta e një firme shumice në Kombinat të Tiranës, në momentin kur aty nuk ndodhej njeri, pasi kishin shkuar në Kishë për Krishtlindje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë, ndërkohë që drejtuesit e firmës private kanë denoncuar në polici këtë rast, duke kërkuar ndihmë që të gjendet kjo kasafortë, pasi brenda saj ndodheshin rreth 30 milionë lekë të vjetra. Burimet policore bënë të ditur se mëngjesin e së premtes, në Komisariatin nr. 6 në Kombinat është paraqitur shtetasi grek Kristos Paniksillis, 42 vjeç, i cili ka deklaruar se kishte rënë pre e një vjedhjeje gjatë natës. Shërbimet e komisariatit janë vënë në shërbim të tij menjëherë, duke regjistruar kallëzimin penal dhe kanë nisur punën për dokumentimin e plotë të veprës penale. Sipas denoncimit të 42-vjeçarit grek, zyrat e firmës së tij private ishin mbyllur gjatë natës si zakonisht dhe ai kishte shkuar për të festuar Krishtlindjet. Të njëjtin veprim kishte kryer edhe stafi. Më tej, biznesmeni grek ka rrëfyer se firma e tij ndodhet në Kombinat dhe vjedhja është vënë re vetëm paraditen e së premtes. Ai ka shpjeguar se kur kishte shkuar për të hyrë brenda, ka vënë re se ishin prishur mjetet mbrojtëse të firmës së tij private dhe menjëherë ka hyrë brenda për të parë se çfarë kishte ndodhur. Kur ka hyrë në zyrë, ka vënë re se kasaforta, brenda së cilës ndodheshin rreth 30 milionë lekë të vjetra, ishte vjedhur. Pasi oficeri i policisë gjyqësore ka dëgjuar dëshminë, ka shkuar në vendin e ngjarjes, duke kryer këqyrjen e saj. Nga verifikimi ka rezultuar se brenda në objekt kishin hyrë më shumë se dy persona. Fillimisht, ata kanë tentuar të hapin kasafortën, por pasi nuk ia kanë dalë mbanë, kanë vendosur t‘i marrin të gjitha. Nga shpejtësia që mendohet se kanë vepruar hajdutët, policia dyshon se grabitja ka ndodhur në mesnatë, kur nuk ka pasur njeri në kompaninë private. Kasaforta mendohet se ka qenë rreth 200 kg, edhe nga shenjat që janë lënë në dysheme nga tërheqja për ta nxjerrë jashtë. Policia ka marrë në pyetje për këtë ngjarje edhe punonjësit e firmës, ndërkohë që ka shoqëruar disa persona të dyshuar, por ende nuk ka informacion nëse kanë rënë në gjurmët e hajdutëve të vërtetë. Policia shpjegoi se autorët mund të jenë pjesë e grupit të goditur pak ditë më parë, që dyshohet për vjedhjen e disa kasafortave dy vitet e fundit në kryeqytet.
Ble. Gi.