SHBA, Romni kundër martesës së homoseksualëve
Kandidati potencial i republikanëve për president, Mit Romni nuk mbështet martesën e homoskesualëve, apo bashkimin civil të tyre. Këto deklarata ai i bëri një ditë pasi presidenti amerikan Barak Obama doli hapur në mbështetje të martesës së personave të të njëjtës gjini.
“Unë kam pikëpamjen e njëjtë për martesën, sikur e kam pasur kur kam qenë guvernator dhe këtë e kam shprehur disa herë: unë besoj se martesa është një marrëdhënie në mes të një burri dhe gruaje”, ka thënë Romni.
Ai ka shtuar se “nuk favorizon martesën mes personave të gjinisë së njëjtë, dhe as bashkimin civil, po që se ai është identik me martesën, dhe ndryshon vetëm nga emri”.
Ky qëndrim është i ndryshëm nga ai i ish presidentit republikan Xhorxh Bush, i cili në vitin 2004 ka thënë se e mbështet bashkimin civil, dhe ka argumentuar se partia e tij gabonte në lidhje me këtë çështje.
Megjithatë, edhe Bush ka kundërshtuar martesën e personave të gjinisë së njëjtë gjatë dy mandateve sa ka qenë President.