E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Shtypi: Obama mund të tërhiqet nga plani antiraketë

Mediat amerikane shkruajnë se Presidenti amerikan Barak Obama ka ofruar tërheqjen nga planet për instalimin e një sistemi të ri të mbrojtjes antiraketë në Europën Lindore. Sipas "New York Times", Obama do të merrte këtë vendim nëse Rusia do të ishte e gatshme të japë kontributin e saj për frenimin e ambicieve të Iranit për prodhimin e bombës bërthamore. gazeta qe citon një zyrtar amerikan, shkruan se Obama propozoi këtë marrëveshje përmes një letre dorëzuar presidentit rus Dmitri Medvedev nga zyrtarë të lartë të administratës amerikane muajin e kaluar në Moskë. "Mund të konfirmojmë se presidenti Obama i ka dërguar një letër homologut rus Medvedev", deklaroi një zyrtar i lartë amerikan për agjencinë e ajmeve Reuters. Ai shtoi se "letra trajton një sërë çështjesh duke përfshirë planin për një sistem të mbrojtjes antiraketë dhe lidhjen e tij me kërcënimin nga Irani".Rusia kundërshton ngritjen e një sistemi amerikan të mbrojtjes antiraketë në Poloni dhe Republikën Çeke. Ky sistem ishte propozuar nga administrata e ish-presidentit Xhorxh W. Bush. Ndërkohë, Moska nuk i është përgjigjur ende ofertës së Obamës, njoftoi gazeta. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton pritet të takohet me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov këtë javë në Gjenevë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›