SHBA anulojnë “ëndrrën amerikane”

Departamenti amerikan i Shtetit u ka kërkuar falje mijëra aspirantëve për emigrantë, që u keqinformuan se do të merrnin vizën për në Shtetet e Bashkuara.
Në një njoftim për shtyp thuhet se, për shkak të një gabimi kompjuterik, rezultatet e llotarisë së 1 majit për kartën jeshile janë shpallur të pavlefshme.
Mbi 22 mijë personave u ishte komunikuar se emrat e tyre ishin zgjedhur, ndërsa tani aplikantëve do t`u duhet të provojnë fatin me 15 milionë të tjerë.
“Na vjen sinqerisht keq për cdo dëmtim apo zhgënjim që ky problem mund t`ju ketë shkaktuar”, thuhet në komunikatën e DASH.
Gabimi kompjuterik tregonte se 90 për qind e fituesve ishin zgjedhur nga dy ditët e para të aplikimit dhe jo nga 30 ditët që zgjat në total procesi.