E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA dëshiron të mbajë 10 mijë ushtarë në Afganistan

Administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, dëshiron që të mbajë rreth 10.000 ushtarë amerikanë në Afganistan, pas fundit zyrtar të operacioneve ushtarake, të parapara për vitin 2014, shkroi gazeta “Wall Street Journal”.

Gazeta, duke iu referuar disa përfaqësuesve të lartë anonim, theksoi se plani iu përgjigjet rekomandimeve të gjeneralit John Alen, komandant i forcave të SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, i cili ka propozuar që të mbeten midis 6.000 dhe 15.000 ushtarë.

Rreth 67.000 ushtarë amerikanë për momentin janë të sistemuar në Afganistan, së bashku me 37.000 ushtarë të forcave ndërkombëtare ISAF. Forcat kombëtare afgane të sigurisë (ANSF) numërojnë 337.000 pjesëtarë.

Analistët konsiderojnë se misioni antiterrorist dhe ai për trajnim kërkojnë një numër shumë të madh të ushtarëve amerikanë, ndoshta deri në 30.000.

SHBA-ja dhe Afganistani më 15 nëntor filluan negociata vendimtare për statusin e forcave amerikane, të cilat do të mbeten në vend pas tërheqjes së forcave ushtarake të NATO-s në vitin 2014.

Washingtoni pohon se nuk po synon të vendos baza të përhershme në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›