E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ju të Berishës”!

Musa Ulqini 

Këto ditë është bërë e ditur se “urdhri i ditës” i kryetarit në detyrë të PS, Edi Rama, është sqarimi i bazës për domosdoshmërinë e bojkotit të Kuvendit të Shqipërisë.
Por sqarimi i bazës për bojkotin është zëvendësuar kryesisht me kritika dhe insinuata kundër deputetëve dhe figurave të tjera përfaqësuese të PS, të cilët publikisht janë shprehur kundër bojkotit. 
“Njerëzit e Ramës”, - siç quhen ndryshe disa nga mbështetësit e tij brenda dhe jashtë institucioneve të PS, kontaktojnë çdo ditë delegatë të Kongresit, firmëtarë të propozimeve për ndryshimet në statutin e PSSH si dhe pjesëmarrës në takimin e njohur të zhvilluar në sallën e madhe të Akademisë së Arteve dhe kërkojnë prej tyre të distancohen nga emrat e njohur të PS, drejtues të lëvizjes mendimi ndryshe, me pretekstin se “ata janë në shërbim të Berishës”!
Situata e krijuar në PS në radhë të parë kërkon nga lidershipi i PS më shumë gjakftohtësi e konstruktivitet se sa emocion dhe agresivitet. Ky lidership sot duhet “të konsultojë” edhe mënyrën se si janë zgjidhur në vite “konflikte” të ngjashme në historinë e Partisë Socialiste.
Kritikat e FRESSH
Është i njohur roli i Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESSH), përveç faktorëve të tjerë, në transformimin e PSSH nga një parti ish-komuniste, në një parti moderne socialdemokrate. Në rrugën e vështirë të këtij transformimi kanë lënë gjurmë edhe debatet e zhvilluara mes përfaqësuesve të forumit dhe drejtuesve të PS, lidhur me mënyrën e modernizimit të PS, për të lënë pas trashëgiminë komuniste. Ky debat vështirësohej edhe për shkak të diversionit të Berishës, i cili e identifikonte Partinë Socialiste me PPSH. Për këtë arsye, jo pak socialistë e perceptonin mendimin ndryshe të drejtuesve të FRESSH për shmangien e trashëgimisë puniste dhe modernizimin e PS, si një debat që ishte në sinkron me sulmet e Berishës ndaj PS dhe që i shërbente atij!
Por lidershipi i PS e trajtoi këtë debat me maturi, duke e kthyer atë në një lëvizje të vërtetë për transformimin e PS, larg etiketimeve të drejtuesve të FRESSH.
Vazhdimi është i njohur për të gjithë: FRESSH u pranua në Internacionalet e Rinisë Socialiste në vitin 1994, duke i hapur kështu rrugën edhe pranimit të PS në Internacionalen Socialiste. Tre drejtuesit e FRESSH, Ilir Zela, Pandeli Majko dhe Ilir Meta, pas ardhjes së PS në pushtet dhanë kontributet e tyre të njohura në qeverisjen e vendit.
Mocioni “Nano”
Pas dhunimit të zgjedhjeve të 26 majit 1996, regjimi i Berishës, pavarësisht nga reagimet kritike të ndërkombëtarëve, rriti agresivitetin ndaj ekipit drejtues të PSSH, duke e fajësuar atë për bojkotin e njohur. Në kulmin e traumës që pësuan socialistët jo vetëm nga dhunimi i zgjedhjeve, por edhe nga dhunimi i drejtuesve të opozitës socialiste që njohu si kulm të vet 28 majin 1996, u bë i njohur në media mocioni i kryetarit të PS, Fatos Nano. Në këtë mocion Nano nga burgu shprehte mendimin ndryshe të tij nga drejtuesit e PS për zgjedhjet e 26 majit. Ai mendonte se drejtuesit e atëhershëm të PS ishin përgjegjës për situatën e krijuar që çoi në humbjen e zgjedhjeve të 26 majit! Nano në mocionin e tij kërkonte një ndryshim rrënjësor në lidershipin dhe drejtimin e PS, si mënyra e vetme “për të dalë nga këneta” dhe për të ardhur në pushtet. Ky mocion hapi një debat të ashpër në PS. Jo pak socialistë të thjeshtë dhe drejtues të PS e perceptuan këtë mocion si një lëvizje politike, që më shumë i shërbente Berishës se sa modernizimit të PS.
Megjithatë, edhe në këto ditë të vështira, dominoi përgjegjshmëria, logjika dhe gjakftohtësia, sepse u arrit të shkrihen në një program të vetëm elementet më racionalë të këtij debati.
Vazhdimi edhe në këtë rast është i njohur: PS pas këtij debati u bë më konkurruese. Të dy drejtuesit kryesorë të mocionit Nano dhe Meidani një vit më pas u bënë njëri kryeministër dhe tjetri president i vendit.
Turi i Ramës
Në gjysmën e parë të vitit 2005, vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ndërmori një tur në disa qytete të Shqipërisë. Në takimet me qytetarët Rama shprehte mendim ndryshe për efektivitetin e qeverisjes socialiste. Ai formuloi kritika të ashpra për keqqeverisjen e vendit nga qeveria Nano. Këto kritika ngjanin si dy pika uji me kritikat që Berisha artikulonte CD ditë kundër qeverisë socialiste. Një pjesë e socialistëve dhe qytetarëve mendonin se turi ishte në kohën e gabuar dhe ai i shërbente vetëm Berishës.
Edhe në këtë rast, lidershipi i PS e trajtoi turin në fjalë me tolerancë duke vlerësuar racionalitetin e kritikave dhe shmangu reagimet emocionale të bazës së partisë.
Vazhdimi është i njohur: Pas humbjes së PS në zgjedhjet e 3 korrikut dhe gjashtë muaj pas turit ne fjalë, Edi Rama u zgjodh kryetar i PS.
Përjashtim apo integrim?
Ndryshe nga çfarë sugjeron përvoja më e mirë e PS në trajtimin e mendimit ndryshe brenda saj, Rama flet sot për “vetëpërjashtim” (siç deklaroi në Vlorë) nga PS të atyre që kanë mendim ndryshe.
Edhe në këtë rast duhet të vlejnë precedentët nga historia e PS. Pas përjashtimeve të njohura nga forumet drejtuese të PS në Kongresin e dhjetorit të vitit 2004 të të gjithë atyre që mendonin ndryshe, erdhi humbja e Partisë Socialiste në 3 korrik 2005, që kishte si shkak kryesor edhe përçarjen e PS-së. 
Rruga e identifikimit me Berishën të atyre që sot i kërkojnë grupit parlamentar të PS “të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e Parlamentit, duke përshtatur qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare” është alternativa më e dëmshme, që veçse do të vazhdojë ta tkurrë edhe më PS dhe ta largojë atë gjithnjë e më shumë nga pushteti. 
Partitë moderne sot kudo në botë janë të tilla, jo vetëm sepse e vlerësojnë si pasuri të mirëfilltë mendimin alternativ, (disa edhe në formën e fraksioneve), por edhe sepse dinë ta menaxhojnë mendimin ndryshe, duke bashkuar të gjitha vlerat dhe energjitë në funksion të fitoreve elektorale. Është rasti që edhe PS të ecë në traditën më të mirë të këtyre partive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›