E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Në vjeshtë shqyrtohet aplikimi për statusin"

Komisioni Europian do të shqyrtojë në vjeshtë aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bën me dije se sinjalet janë pozitive, pasi veç performancës së mirë në zgjedhje, asnjë vend i bllokut nuk ka tendencë për të bllokuar procesin.

Optimizmin lidhur me këtë çështje, qeveria shqiptare e lidh me deklarimet e forta të zyrtarëve të lartë të Brukselit në raport me zgjedhjet parlamentare. Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, thotë se panoramës së vlerësimeve zyrtare pozitive të Brukselit që më herët konkluduan me hyrjen në fuqi të MSA, i mungonin zgjedhjet, kriteri më i rëndësishëm politik për t‘u përmbushur. Muaji më i mundshëm për shqyrtimin e kërkesës duket të jetë tetori. Ministrja për Integrim thotë se procesi jo domosdoshmërisht është i lidhur me datën e shpalljes së progres-raportit të BE, dokumentit që bën vlerësimin e ecurisë 1-vjeçare të vendit. Progres-raporti i vitit 2009 u publikua në ditët e para të muajit nëntor. Bregu garanton se procesi për shqyrtimin e statusit kandidat nuk do të hasë në asnjë pengesë nga vendet e BE. Bregu ka parasysh këtu dhe Gjermaninë, e cila ka një fokusim të madh në çështjet e brendshme për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen më 27 shtator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›