E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA e BE: Numërimi me probleme, Kolegji të ketë kujdes, vendit i duhet qeveri legjitimeNga Tema Në ditën kur Kolegji Zgjedhor, institucioni që jep vendimet e prera për problemet zgjedhore, nisi shqyrtimin e ankimimeve nga partitë, ambasado

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

SHBA e BE: Numërimi me probleme, Kolegji të ketë kujdes, vendit i duhet qeveri legjitimeNga Tema

Në ditën kur Kolegji Zgjedhor, institucioni që jep vendimet e prera për problemet zgjedhore, nisi shqyrtimin e ankimimeve nga partitë, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të Suedisë, vendit që mban presidencën e radhës të BE, dhe ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë takuan gjyqtarët për t’u dhënë mbështetje në punën e tyre.

Momenti i përzgjedhur nga diplomatët e huaj është shumë i rëndësishëm. Opozita ka deklaruar se në një të tretën e qarqeve në vend ka pasur parregullsi dhe ka kontestuar rezultatin.

Në njoftimin për shtyp, të shpërndarë nga ambasada britanike, thuhet se procesi është dëmtuar gjatë numërimit të votave për shkak të presioneve politike, ndaj, sipas ambasadorëve, është shumë e rëndësishme që gjykimi i Kolegjit Zgjedhor të jetë objektiv.

Ambasadorët kanë theksuar se në vlerësimin përfundimtar të zgjedhjeve, një rëndësi shumë të madhe do të ketë trajtimi që u është bërë ankimimeve.

“Sot, Presidenca Evropiane, shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian dhe ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Republikës Federale të Gjermanisë, dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takuan Kolegjin Zgjedhor për të sinjalizuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe interesin për një proces elektoral të besueshëm. Këto zgjedhje janë një test i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe gatishmërisë për të ecur përpara drejt integrimit të mëtejshëm në BE.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdon të ndjekë nga afër procesin elektoral. Vlerësimi final i zgjedhjeve të 28 qershorit do të varet në një shkallë të konsiderueshme nga trajtimi i procesit të ankimimeve dhe apeleve. Duke pasur parasysh ndërhyrjet që u vunë re në procesin e numërimit të votave nga partitë politike dhe presione ndaj administratës zgjedhore, përfaqësuesit diplomatikë theksuan rëndësinë e rolit të Kolegjit Zgjedhor dhe të një procesi gjyqësor të pavarur.

Përfaqësuesit diplomatikë nxitin administratën zgjedhore dhe partitë politike të punojnë konstruktivisht për një mbyllje të suksesshme të procesit zgjedhor, drejt formimit të një qeverie legjitime”, - thuhet në deklaratën e ambasadorëve të SHBA dhe BE.

Opozita ka depozituar pretendimet e saj në Kolegj Zgjedhor e po kështu ka vepruar dhe mazhoranca. PS disa herë ka deklaruar se vendimet e KQZ kanë qenë të njëanshme dhe në kundërshtim me ligjin. Madje, në rastin kur u kërkua rinumërim votash për Shkodrën, vetë kryetari i KQZ, Arben Ristani, tha se nuk duhet të shfrytëzohet ligji për të dëmtuar procesin zgjedhor.

Kryetari socialist, Edi Rama, tha para tri ditësh se ai shpreson që Kolegji Zgjedhor të mos marrë vendime siç i mori KQZ, por të jetë i paanshëm dhe t’i bindet vetëm ligjit.

Partia Demokratike i quajti këto deklarata si presione ndaj Kolegjit Zgjedhor.

Vendimi i parë i Kolegjit, në favor të opozitës

Kolegji Zgjedhor ka pranuar dje padinë e Partisë Socialiste për Fierin duke anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për qendrën e votimit 3052 në këtë qark. Pas marrjes në shqyrtim të padisë së bërë, Kolegji ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste, e cila ashtu si edhe në KQZ kundërshtoi që fletët e votimit të qendrës së votimit 3052 të përfshiheshin në rezultatin përfundimtar.

Bëhet fjalë për kutinë e shumëdebatuar të Ruzhdies, ku 440 fletë votimi u gjendën me një vulë, të cilat do të çregjistrohen nga tabela përmbledhëse e rezultatit për qarkun e Fierit.

Nën drejtimin e Dhurata Haverit, gjyqtarët Astrit Kalaja, Tom Ndreca, Meriban Mullaj dhe Petraq Dhimitri i dhanë të drejtë Partisë Socialiste.

Nëpërmjet avokatëve të tyre, socialistët kërkonin që nga rezultati përfundimtar i Fierit i shpallur nga KQZ, të hiqeshin 440 fletë votimi të fshatit Ruzhdie. Këto fletë kishin mbetur me një vulë, pas largimit të sekretarit bashke me anëtarët e tjerë socialistë të komisionit. Sipas socialistëve, për këtë ishte bërë shkak një kërcënim me armë i një komisionari të djathtë, për të cilin ata edhe kishin bërë kallëzim penal.

Kurse sipas demokratëve, komisionarët socialistë ishin larguar pas një urdhri politik për të bllokuar votimin në një zonë që njihej si e djathtë. Në vendimin e saj, KQZ i kishte dhënë të drejtë Partisë Demokratike, duke i cilësuar fletët me një vulë si të rregullta. Pas administrimit të provave dhe dëgjimit të palëve, kolegji u tërhoq për të marrë vendim.

“Në përfundim të shqyrtimit, Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, bazuar në ligjin 10019, neni 158, fraksion 3, vendosi pranimin e palës paditëse që është Partia Socialiste”, - deklaroi anëtarja e Kolegjit Zgjedhor, Dhurata Haveri. Ky vendim nuk lëviz shpërndarjen e mandateve për Fierin. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për çështjen e Beratit, ku 3 mijë vota janë shpallur të pavlefshme.

Kjo çështje do të shqyrtohet të mërkurën në orën 10 paradite. Trupi gjykues do të jetë sërish i njëjti, me përjashtim të Astrit Kalase, që do të zëvendësohet nga Marie Qirjazi. Trupa prej 5 gjyqtarësh për çdo çështje hidhet me short mes 8 anëtarëve që ka gjithsej Kolegji Zgjedhor. Vetë këta 8 gjyqtarë janë përzgjedhur me short mes gjyqtarëve të gjykatave të apelit.

Trupa gjykuese e përbërë nga pesë anëtarë, pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve, PS, PD, PDI dhe KQZ u tërhoq për të marrë vendimin, në një mbledhje, e cila zgjati rreth 4 orë, ku anëtarët u konsultuan mes tyre deri në marrjen e vendimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›