Edhe katër fabrika çimentoje, Berisha i jep leje ndërtimi biznesmenit të familjesNga TemaNë mbledhjen e dytë të Këshillit të Rregullimit të Territorit, menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit, kryeministri ka vijuar të kthejë në jetë disa nga projekte
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Edhe katër fabrika çimentoje, Berisha i jep leje ndërtimi biznesmenit të familjesNga TemaNë mbledhjen e dytë të Këshillit të Rregullimit të Territorit, menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit, kryeministri ka vijuar të kthejë në jetë disa nga projekte më të kundërshtuara në vend. Kështu, në mbledhjen e djeshme të KRRTRSH është marrë vendimi për të ngritur katër fabrika të tjera çimentoje, që e çojnë në shtatë numrin e tyre. Ndërkohë në pritje për miratim janë dhe të tjera fabrika çimentoje që pritet ta kthejnë ultësirën shqiptare në një varr industrial.
Nga zona poshtë Shkodrës e deri në Fushë-Krujë do të shtrihen këto monstra të ambientit. Por ajo që duhet theksuar është se të paktën dy prej këtyre fabrikave u përkasin njerëzve shumë të afërt të kryeministrit, Sali Berisha.
Edhe pse këto fabrika tejkalojnë shumë herë nevojat e Shqipërisë për çimento, kryeministri deklaroi të kundërtën.
“Shqipëria është një vend me nevoja në rritje shumë të shpejtë për çimento dhe materiale ndërtimi. Një infrastrukturë e tërë është për t’u ndërtuar, janë për t’u ndërtuar edhe qindra hidrocentrale, vepra të shumta vaditjeje, mijëra kilometra rrugë dhe vepra arti në çdo kilometër. Në këtë kontekst, nevojat e vendit për çimento janë shumë të mëdha, ndaj janë shumë të mirëpritura investimet në industrinë e çimentos dhe industrinë e materialeve të ndërtimit në tërësi”, - u shpreh Berisha.
Pasi ka vendosur ngritjen e tyre, kryeministri ka thënë se tani do përcaktohen kriteret mjedisore për këto gjigantë të industrisë dhe të ndotjes.
“Ka një kriter themelor, që është mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. Meqenëse grupe dhe organizata të shoqërisë civile që merren me problemet e mjedisit kanë shprehur shqetësime për potencialin e mundshëm ndotës të kësaj industrie, ne do t’i miratojmë këto sheshe, por kushti për ndërtimin e tyre dhe për kapacitetet e tyre do të përcaktohet nga rezultati i studimit të efektit kumulativ të tyre, i cili shtrihet nga Fushë-Kruja në Bushat. Dihet që kodrat bazike të Shqipërisë përbëjnë një material të klasit të parë dhe gurët e tyre gëlqerorë përbëjnë një material të cilësisë të parë për çimento, por do të qartësojmë se cili është efekti kumulativ i tyre në hapësirën e këtij territori. Gjithashtu, do të përcaktohen shumë qartë teknologjitë që do të përdorën, si dhe të gjithë faktorët më të cilët kjo industri ndikon në mjedis”, - tha Berisha.
Dy fabrika të tilla çimentoje e kanë kthyer tashmë në shkretëtirë zonën sipër Fushë-Krujës, ndërsa disa herë banorët kanë protestuar për ndotjen e madhe që shkaktojnë ato. Banorët kanë bllokuar dhe hyrjen e fabrikës së çimentos duke kërkuar që të mbahet premtimi i firmës për të mos prodhuar ndotje.
Berisha përgatit lejen për fabrikën e çimentos së të afërmit të tij, LSI pati denoncuar aferën
Nga “TemA”
14.07.2009
Dje kryeministri ka përgatitur sërish dhënien e lejes për një licencë për një fabrikë çimentojë në Krujë për një të afërmin e tij. Në një moment hipokrizie, Berisha, njeriu që ka dhënë disa leje për fabrika çimentoje në Shqipëri në vendet më të mira, ka kërkuar nga ministri i Mjedisit që tani të bëjë një studim në lidhje me ndotjen që sjellin këto fabrika.
“Zoti ministër i Mjedisit, Lufter Xhuveli, në një mbledhje të është kërkuar dhe sërish të kërkoj që të bëhet studimi i efektit kumulativ të fabrikave të çimentove mbi mjedisin. Ky studim është i domosdoshëm, sepse mjedisi duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si përparësi madhore e jona. Individë apo grupe të caktuara kanë shprehur shqetësim për ndërtimin e tyre dhe përgjigjja jonë më e mirë është studimi i efektit kumulativ të këtyre çimenterive. Mbi këtë bazë ne marrim të gjitha vendimet. Për ne mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij janë përparësi absolute. Ndaj dhe mundësisht brenda kësaj jave të merren të gjitha masat për të shpallur tenderin dhe për të kontraktuar një nga kompanitë më të mira për të bërë studimin kumulativ në një kohë sa më të shkurtër”, - tha Berisha.
Dhënia e kësaj licence ishte denoncuar para disa kohësh nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Nënkryetari Dritan Prifti tha se Berisha po rrezikon të kthejë në zonën më të ndotur në vend territorin nga Shkodra në Tiranë. “Para disa javësh ka marrë licencë për një fabrike çimentoje ai që ka bërë 25-katëshin në mes të Tiranës, mik i ngushtë i Edi Ramës dhe mik i ngushtë i Sali Berishës”, - tha Prifti.