E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Nuk do lejojmë ndërtimin e TEC-it me qymyr në DurrësNga TemaPartia Socialiste deklaroi dje se nuk do të lejojë ndërtimin e termocentralin me qymyr në Durrës. Ajo e ka quajtur atë përbindësh dhe pjellë të martesës Berisha- Meta. Deputeti i ri i

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PS: Nuk do lejojmë ndërtimin e TEC-it me qymyr në DurrësNga Tema

Partia Socialiste deklaroi dje se nuk do të lejojë ndërtimin e termocentralin me qymyr në Durrës. Ajo e ka quajtur atë përbindësh dhe pjellë të martesës Berisha- Meta.

Deputeti i ri i Durrësit, Blendi Klosi, tha dje se nuk do lejojnë që qyteti bregdetar të jetë pronë e Berishës dhe e Metës.

“Në rrugën e turpshme të abuzimit me pronat e fshatarëve të zonës së Porto Romanos dhe me pasuritë tona të përbashkëta, për qëllime të mirëfillta përfitimi familjar e klanor, Sali Berisha përsëri sot iu ritha durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve se ai do ta ndërtojë TEC-in me qymyr, pavarësisht se kjo monstër ekologjike e papranueshme nga asnjë vend evropian mbyll rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, dëmton ekonominë e një komuniteti të tërë, helmon fëmijët, si të demokratëve, dhe socialistëve durrsakë dhe bie ndesh me të gjitha standardet evropiane.

Si deputet i qarkut të Durrësit, i them Sali Berishës se nuk do ta lejojmë të ndërtojë përbindëshin e qymyrit në Porto Romano, pavarësisht se sa miliona euro ka futur apo pret të fusë oborri kryeministror në arkën e fitimeve abuzive nga kjo vepër e turpshme dhe pavarësisht se sa kohë do rrijë Sali Berisha në karrigen ku e mban “krushqia e tij e re” me Ilir Metën.

Koha vërtetë është e maskarenjve, por Durrësi është i durrsakëve dhe i gjithë shqiptarëve, Durrësi nuk është dhe nuk mund të jetë ndërmarrje familjare e Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Dhe fjalia e fundit: Sa për ambientalistët dhe mafien, mund t’i themi kryeministrit në detyrë se mafien e ka në ambientet ku jeton dhe punon pandershmërisht”, - tha Klosi.

Ndërsa Kryeministri, Sali Berisha, në mbledhjen e KRRTRSH, tha se ata që i dalin kundër projektit të TEC-it në Porto Romano, janë mafiozë.

“Kriteret e mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit dhe jo antiglobalizmi do të jenë përcaktuese për të gjitha vendimmarrjet e ardhshme. Edhe një herë dua të denoncoj me forcën më të madhe antiglobalizmin si një transfigurim i doktrinës së vjetër marksiste-leniniste, e cila, fatkeqësisht, në Shqipëri është ngulitur dhe mishëruar në një grup të vogël eksponentësh të së majtës shqiptare, të cilët nuk mbrojnë aspak interesa të majta, por mbrojnë kryekëput interesa të mafies. Ky është realiteti, ndaj nuk kam ndërmend të përfill dhe as të dëgjoj antiglobalizmin e tyre, sepse ai në vetvete është një armik i mjedisit. Ju e keni të qartë se për kë është fjala. Të nesërmen e mbledhjes së javës së kaluar të KRRTRSH, zotëria doli dhe në mënyrën më të papërgjegjshme u deklaroi shqiptarëve se TEC-e me qymyr nuk ndërtohen më kurrkund në Evropë, ndonëse ato janë në rikthim të fuqishëm. Po ndërtohen tre të tillë në Itali, tre në Gjermani dhe për ironi të fatit, ditën që ai deklaronte se këto TEC-e nuk ndërtohen më askund në Evropë, nga Banka Botërore u vendos të ndërtohet një nga TEC-et më të mëdhenj në rajonin e Kosovës. Unë e përshëndes këtë vendim. TEC-e të tillë po ndërtohen në Çeki dhe në Holandë, në vendet ku kryefjala e të gjitha politikave është mbrojtja e mjedisit. Kjo është dhe arsyeja se përse unë nuk dëgjoj zërin e antiglobalistëve, sepse e bazojnë tërësisht në mashtrim. Sa serioze është t’u dalësh dhe t’u deklarosh qytetarëve të tu se në Evropë nuk ndërtohen më TEC-e me qymyr, kur janë në ndërtim e sipër me dhjetëra të tillë? Cila është përgjegjësia ndaj zhvillimit të vendit? Ky është vetëm antiglobalizëm. U detyrova të bëj këtë ekspoze, sepse jam i bindur që nesër me fabrikat e çimentos do të lidhet edhe njohja apo mosnjohja e zgjedhjeve”, - u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›