E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e fëmijës 5-vjeçar, mjekët e spitalit të Korçës përgjegjësNga TemaMjekët e spitalit të Korçës duket se janë përgjegjës për vdekjen e fëmijës 5-vjeçar dy ditë më parë, i cili u pickua nga një gjarpër. Kjo, pasi këta të fundit nuk i kishin injek

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Vdekja e fëmijës 5-vjeçar, mjekët e spitalit të Korçës përgjegjësNga Tema

Mjekët e spitalit të Korçës duket se janë përgjegjës për vdekjen e fëmijës 5-vjeçar dy ditë më parë, i cili u pickua nga një gjarpër. Kjo, pasi këta të fundit nuk i kishin injektuar atij ilaçin kundër helmimit nga gjarpri, me pretendimin se ai nuk ndodhej në spital, ndërsa është krejt u kundërta.

Shefi i kirurgjisë në këtë spital ka pohuar se ilaçi ndodhej në spital, duke rrëzuar kështu pretendimin e mjekëve, të cilët u kishin thënë prindërve të fëmijës se duhet ta blinin vetë ilaçin.

Nëse kjo gjë rezulton e vërtetë, atëherë mjekët që kanë trajtuar fëmijën e pickuar nga gjarpri mund të procedohen penalisht, pasi janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për vdekjen e tij.

Fëmija me inicialet V. B., nga fshati Leminot i Korçës, ishte dërguar nga ana e familjarëve në spitalin e Korçës pasditen e së shtunës, pasi ishte pickuar nga një gjarpër. Pasi ka mbërritur në spital dhe pasi është vizituar nga ana e punonjësve të këtij spitali, është vendosur që ai të dërgohet në Spitalin Ushtarak duke qenë se punonjësit e spitalit u kanë thënë familjarëve që nuk zotërojnë ilaç kundër helmimit nga gjarpri. Madje, ata u kanë thënë që familjarët duhet ta blinin vetë ilaçin, por këta të fundit, të ndodhur në kushte të vështira ekonomike, nuk kanë mundur dot që ta blejnë atë dhe kanë pranuar që fëmija e tyre të transportohet në Spitalin Ushtarak. Përpjekje kjo që në fakt ka dështuar, pasi fëmija ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në spital, pa mundur dot që të arrijë i gjallë atje. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje familjarët e fëmijës kanë akuzuar mjekët për papërgjegjshmëri dhe neglizhencë, pasi, edhe pse kanë pasur ilaç kundër helmimit nga gjarpri, u kanë thënë atyre që ta blejnë në farmaci atë.

Pretendimi i familjarëve të fëmijës 5-vjeçar është konfirmuar dje edhe nga ana e shefit të kirurgjisë në spitalin e Korçës, i cili ka pohuar ekzistencën e ilaçit kundër helmimit nga gjarpri. Nëse kjo gjë është e vërtetë, atëherë përgjegjësia për vdekjen e fëmijës nga fshati Leminot i Korçës bie direkt mbi mjekët që e kanë mjekuar atë, të cilët, edhe pse kanë pasur ilaç kundër helmimit nga gjarpri, e kanë dërguar atë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, çka ka rezultuar fatale për këtë të fundit. Nuk dihet, nëse prokuroria do të nisë hetimet për këtë ngjarje, e cila është një skandal i vërtetë, pasi papërgjegjshmëria e punonjësve të spitalit të Korçës ka sjellë vdekjen e një fëmije.

Ky nuk është rasti i parë që mjekët bëhen objekt dyshimesh për papërgjegjshmëri dhe neglizhencë në punë, pasi vetëm gjatë muajit të fundit kanë ndodhur disa vdekje, për të cilat janë akuzuar pikërisht mjekët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›