E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA e Rusi, marrëveshje për armët nukleare

Presidenti rus, Dimitri Medvedev, dhe Presidenti amerikan, Barak Obama, do nënshkruajnë javën e ardhshme një deklaratë të përbashkët, ku zotohen për bisedime dypalëshe në kuadër të reduktimit të arsenaleve nukleare. Lajmi u bë publik dje nga Sergei Prikhodko, një ndihmës i afërt i kreut të shtetit rus, sipas të cilit dy liderët, gjatë një takimi javën e ardhshme në Londër, do nënshkruanin edhe një dokument tjetër mbi raportet në përgjithësi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. "Do përpiqemi të gjejmë gjuhën e përbashkët mbi termat dhe afatet e një marrëveshjeje për zëvendësimin e paktit ‘Start‘, në mënyrë që gjatë takimit të arrijmë marrëveshjet e para konkrete dhe të përfundojmë gjithë procesin përpara fundit të vitit", tha Prikhodko.

Zyrtarë të lartë rusë kanë bërë të qartë se gjetja e një marrëveshjeje të re për të zëvendësuar paktin "Start 1", i cili skadon në dhjetorin e vitit 2009, është një prej prioriteteve përballë administratës së re amerikane. Traktati "Start", i nënshkruar në verën e vitit 1991 nga Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, dhe Presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov, u pasua nga reduktimi më i madh dypalësh i armëve nukleare në histori. Erdhi si rezultat i një dhjetëvjeçari bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë viteve të fundit të Luftës së Ftohtë. Në kohën e nënshkrimit të këtij pakti, Shtetet e Bashkuara ishin më përpara në zhvillimin e teknologjisë për distancat e kokave nukleare, por Bashkimi Sovjetik zotëronte një arsenal më të madh bërthamor.

Administrata "Obama" është zotuar të "rinisë nga e para" lidhjet me Rusinë, pasi këto qenë përkeqësuar ndjeshëm gjatë administratës "Bush". "Janë shtuar sinjalet që u thonë të dyja palëve se është paraqitur një shans i ri që nuk mund të humbet. Kemi besim se takimi i Londrës do të jetë një segment i rëndësishëm përgjatë asaj rruge", shtoi Prikhodko në emër të Presidentit rus. Por, pa me vend të vërente se Rusia i shihte me shumë gjakftohtësi çështjet që ndajnë dy superfuqitë, veçanërisht planet amerikane për instalimin e një sistemi mbrojtës kundër raketave në Evropën Lindore. Prikhodko sqaroi se Presidenti Medvedev do t‘i shtronte shqetësimet lidhur me këtë plan gjatë takimit njëorësh në Londër: "I kuptojmë më së miri dasitë që na ndajnë nga njëri-tjetri dhe nuk ushqejmë iluzione se do kalohen me lehtësi".

Medvedev dhe Obama kanë pasur kontakte telefonike, si dhe kanë këmbyer letra pas marrjes së detyrës nga ana e Presidentit të ri amerikan, por ky do jetë takimi i tyre i parë si krerë shtetesh. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua gjatë ditëve të para të këtij muaji me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, në një atmosferë ku dominonte vullneti për të përmirësuar raportet mes dy vendeve, vetëm pak kohë përpara takimit në fjalë, i cili do të zhvillohet në Londër përgjatë Samitit të grupit G20.

Gjatë 12 muajve të fundit, raportet diplomatike mes Moskës e Uashingtonit kanë arritur në pikën më të ulët që pas Luftës së Ftohtë, për shkak të mosmarrëveshjeve të ashpra lidhur me ndërhyrjen e armatosur ruse në Gjeorgji dhe planet amerikane për krijimin e sistemit të mbrojtjes kundër raketave. Një tjetër pikë e nxehtë artriti ka qenë tregtia e armëve nga ana e rusëve, si dhe bashkëpunimi i tyre me Iranin për probleme nukleare, gjë që shihet shumë shtrembër nga Uashingtoni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›