SHBA, e shqetësuar për bashkëpunimin ushtarak Kore e Veriut-Mianmar
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin se bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Koresë së Veriut dhe Mianmarit, mund të destabilizojë situatën në rajon. Kjo deklaratë është dhënë nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton të martën gjatë takimit të vendevetë vendeve të Azisë Juglindore, që po zhvillohet në Bangkok të Tajlandës. Clinton tha se Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për rritjen e shqetësimit për këtë formë të bashkëpunimit ndërmjet Korese së Veriut dhe Burmas, gjë të cilën po e marin shumë seriozisht. Mianmari është vendi që njihet gjithashtu edhe me emrin Burma. " Mund të destabilizojë rajonin, por gjithashtu mund të jetë një kërcënim direkt për fqinjët e Burmas", saktësoi Clinton. Ndërkaq Kongresi Amerikan ka miratuar vazhdimin e sanksioneve kundër regjimit ushtarak në Birmani. Një gjë e tillë duhet të miratohet edhe nga senati, i cili në vitin 2003 vendosi për herë të parë për këto masa. Sanksionet parashikojnë ndër të tjera ndalimin e importeve nga vendi juglindor i Azisë, si pwr shembull importin e gurëve të çmuar. Ministrja e Jashtme amerikane, Hillary Clinton paralajmëroi ndaj një transferimi të mundshëm të teknikës nukleare nga Koreja e Veriut në Birmani. Ndër të tjera ajo foli edhe për udhëheqësen e opozitës në Birmani që mbahet ende në burg: "Ne jemi përpjekur direkt dhe me vendet partnere që të ushtrojmë presion ndaj Birmanisë. E kemi bërë të qartë se presim një gjykim të drejtë të Aung San Suu Kyi-s. Dhe ne kemi dënuar mënyrën e të gjykuarit të saj nga regjimi në Birmani. Ne e vlerësojmë dënimin e saj të paarsyeshëm dhe të papranueshëm", tha Clinton. Në Phuket në jug të Tajlandës të mërkurën zhvillohet takimi i dhjetë anëtarëve të bashkësisë së shteteve juglindore të Azisë(ASEAN) me vendet partnere. Edhe Birmania dhe Koreja e Veriut përfaqësohen në këtë organizatë.