E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA e shqetësuar për fluturaken e saj të humbur

Autoritetet amerikane kanë shprehur shqetësimin e tyre për humbjen e një aeroplani të telekomanduar, në afërsi të kufirit lindor të Iranit.

Një zëdhënës i Pentagonit deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara në veçanti, sepse aeroplani ndodhej në një vend ku amerikanët nuk ishin në gjendje ta kontrollonin.

Mediat iraniane deklaruan se fluturakja u qëllua dhe u rrëzua dhe se tani ndodhej në duart e forcave të armatosura të Iranit.

Thuhet se objekti ka pësuar dëme minimale. Fluturakja, e njohur ndryshe si “Gardiani”, është e para që e kanë humbur forcat amerikane.

Kapiteni i marinës amerikane, John Kirby, deklaroi se SHBA-ja është e shqetësuara për shkak të mundësisë që Teherani të sigurojë informata për teknologjinë e këtyre fluturakeve.

“Mendoj se ne gjithmonë jemi të shqetësuar kur bëhet fjalë për një aeroplan që humbasim, me pilot apo pa pilot, sidomos në një vend ku nuk kemi mundësi ta marrim sërish”, deklaroi Kirby.

NBC News raportoi se aeroplani po zhvillonte një mision të drejtuar nga CIA, por nuk është e qartë nëse po fluturonte në Afganistan, apo në Iran.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›