E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotët e ish-shefit të Mossadit

Shefi i larguar i shërbimit të fshehtë izraelit Mossad, Meir Dagan, befason të gjithë, pas dha një intervistë tejet të hapur, gjatë së cilës mezi ndali lotët dhe gjatë së cilës foli edhe për vrasjet dhe sulmet e mundshme kundër Sirisë.

“Nuk është kënaqësi t’ia marrësh jetën dikujt. Ai njeri, që shijon një gjë të tillë, është psikopat”, theksoi një njeri, nga i cili më së paku janë pritur këto fjalë. Meir Dagan, i cili deri në fillim të këtij viti ishte shef i shërbimit të fshehtë izraelit, Mossad, ka pasur një reputacion krejt tjetër:”Specialitet i Daganit është që t’ia këputë arabëve kokat nga supet e tyre”, kishte deklaruar dikur Ariel Sharoni, i cili edhe e emëroi Daganin për kryesues të Mossadit në vitin 2002.

Sipas një legjende, ai kishte ngulfatur me një dorë një arab, duke aktivizuar njëkohësisht një granatë me dorën tjetër. Dhe tani, madje as një vit pas largimit të tij nga Mossadi, Dagan qëndron ulur në shtëpinë e tij në Tel Aviv, duke dhënë një intervistë për një kanal televiziv.

Por kur një njeri nuk shijon vrasjet, por megjithatë ka vrarë aq shpesh gjatë jetës së tij, çfarë flet kjo për një njeri të tillë, pyet gazetarja e njohur Ilana Dajan. Dagan merr frymë thellë, lëvizë kokën herë në njerën, e herë në anën tjetër, ngase e di se kjo pyetje i është drejtuar atij:”Shpresoj se mund të jetojë me një gjë të tillë”, thotë ai më pas.

Vërehet se Dagan nuk është i mësuar me medie, shpesh duket mjaft i ngathtë. Kjo me gjasë ndërlidhet me faktin se ai është dashur të jetë gjithmonë i kujdesshëm. Pjesës më të madhe të pyetjeve nuk guxon t’i përgjigjet.

Kur Imad Mughnia ndezi automjetin e tij më 12 shkurt të vitit 2008, në Damask, kryeqytetin e Sirisë, shpërtheu një bombë, me ç’rast Mughnia, i cili ishte koordinator ushtarak i organizatës shiite, Hezbollah, mbeti i vdekur në vendin e ngjarjes. Menjëherë u shpreh dyshimi se aksioni ishte ndërmarrë nga Mossadi. Dagan mohon:”Nuk kam njohuri për këtë ngjarje”.

Megjithatë, ai pranon se e ka njohur Mughnian. Në vitin 1978 ai e kishte takuar Mughnian në fshatin e tij të lindjes, Tir Daba, në Liban, ngase xhaxhai i tij kishte qenë kryesues i fshatit. Xhaxhai e kishte lutur atë që ta lë të qetë Imadin e ri, ngase ai nuk kishte lidhje me organizatën palestineze Fatah. Po ta kishte ditur atëherë se çfarë do të bëhej djaloshi më vonë, biseda do të kishte marrë një drejtim tjetër, thotë Dagan në gjysmë kërcënim dhe gjysmë shaka.

Për të gjitha teoritë e konspiracionit, Dagani ka shpjegimet e tij. Vrasjet e shkencëtarëve bërthamor në Iran, rrëzimet e aeroplanëve, viruset kompjuterikë në sistemet iraniane dhe shpërthimet nëpër centralet e ndryshme bërthamore-për të gjitha këto gjëra është përgjegjës Zoti? “E saktë, Zoti drejton çdo gjë. Pra më duket se ai vërtetë e di se si të drejtojë gjërat”, përgjigjet Dagan.

Është kjo një jetë, me të cilën duhet të pajtohet një krye-agjent. Kërshëria për ato rrëfime, të cilat as që guxon, e as që dëshiron t’i tregojë, është e jashtëzakonshme. Por Dagan ka një qëllim tjetër dhe për këtë arsye ishte pajtuar që të jep këtë intervistë.

Ai kurrë nuk e ka fshehur faktin se nuk i beson kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahut dhe ministrit të tij të Mbrojtjes, Ehud Barakut. Ai gjithashtu është i bindur se Irani nuk do të jetë në gjendje të prodhojë bombën bërthamore deri në vitin 2015 dhe thotë se ende nuk janë pjekur kushtet për të sulmuar këtë shtet. Por pse atëherë është momenti që të sulmohet një reaktor në Siri dhe nuk është koha që të sulmohet programi bërthamor i Iranit, e pyet gazetarja.

Dy situatat nuk kanë asnjë ngjashmëri, përgjigjet Dagan. Sipas tij, për të shkatërruar reaktorin në Siri, do të mjaftonin dy apo tri sulme, të drejtuara kundër disa shënjestrave të caktuara.

Daganin tani e brengosin deklaratat e Barakut se Izraelit i kanë mbetur vetëm edhe nëntë muaj në dispozicion për të vepruar.

“Sipas mendimit tim, opsioni ushtarak është alternativa e fundit. Nëse Irani merr vendimin dramatik për të filluar fazën përfundimtare të teknologjisë bërthamore, mbetet edhe më tutje mjaft kohë në dispozicion, për të marrë vendime dramatike dhe ekstreme”, thotë Dagan.

Por çfarë nëse ai e ka gabim, ndërsa Netanyahu dhe Barak kanë të drejtë? Izraeli atëherë do të përballej me një Holocaust, me një kërcënim të panjohur deri me tani, nga ana e një “shteti të çmendur me armë bërthamore”.

Dhe Dagan befason sërish me përgjigjen e tij:”Irani funksionon si një shtet racional. Ai merr parasysh pasojat e mundshme të veprimeve të veta”.

Si pjesëmarrë në luftën e Jom Kippurit, në vitin 1973, Dagan flet edhe për bashkëluftëtarët e tij të vrarë pranë tankeve dhe mezi përmban lotët.

Pas një pauze tejet të gjatë, ai thotë:”Gjërat nuk harrohen. Po të kisha pasur mundësi që shlyeja nga koka kujtimet e luftës, do ta bëja me kënaqësi këtë”.

Dhe është ky momenti më intim i intervistës: ushtari i dekoruar dhe ish-shefi i shërbimit të fshehtë, gjenerali Meir Dagan, urren luftën me gjithë qenien e tij. (Die Welt)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›