Clinton kritikon zgjedhjet në Rusi

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, i ka kritikuar përsëri zgjedhjet parlamentare në Rusi, duke thënë se ato ishin jokorrekte.
Duke folur në Vilnius të Lituanisë, në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ajo e përsëriti kritikën ndaj zgjedhjeve parlamentare ruse, të mbajtura ditën e diel, në të cilat partia e kryeministrit rus, Vladimir Putin, fitoi numrin më të madh të votave.
Clinton tha se “votuesit rusë meritojnë hetime të plota të mashtrimit dhe manipulimit elektoral”.
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishte i pranishëm në takimin në Vilnius, por nuk është planifikuar ndonjë takim i tij i ndarë me Clintonin.