Zgjedhjet, Memushi përballë Ruçit
Aristir Lumezi
Deputeti socialist Luan Memushi do të jetë përballë Gramoz Ruçit në Qarkun e Gjirokastrës në zgje-dhjet e qershorit. Vendimi bëhet i njohur nga zyra e shtypit e LSI-së, ndërsa vetë deputeti u shpreh se "kërkon të përmbushë sa më mirë misionin e tij përballë komunitetit dhe votuesve të majtë në këtë qark". Zyrtarizmi i këtij vendimi do të bëhet javën e ardhshme nga zyrtarët e lartë të LSI-së, në një takim me strukturat dhe simpatizantët e kësaj partie në Gjirokastër. Ky vendim i deputetit socialist nuk ishte aspak surprizë. Memushi ka mbajtur qëndrime konstante kritike ndaj mënyrës se si po drejtohet Partia Socialiste, se ai po bën opozitë, kryesisht në Parlament. Sugjerimet dhe kritikat e Memushit, por dhe e deputetëve të tjerë socialistë brenda grupit parlamentar dhe Asamblesë Kombëtare Socialiste, asnjëherë nuk u morën me seriozitet. Ish-ministri i Arsimit, mik i afërt i kryetarit të Asamblesë Kombëtare, por dhe i ish-kryetarit socialist, Fatos Nano ishte mbështetës i platformës për rishikimin e statutit të PS-së në kongresin e 2006, legalizimin e mendimit ndryshe etj. Memushi ishte një nga mbështetësit e Fatos Nanos për postin e kreut të shtetit në korrik 2007. Që atëherë, raportet e tij me grupin parlamentar të Partisë Socialiste nisën të ftoheshin, komunikimet me kryetarin socialist Edi Rama u bënë inekzistente, ndërsa në grupin socialist, sipas dhe shumë deputetëve aktualë, mbaroi së debatuari çështje që kishin lidhje me qëndrimet e shumta opozitare, që skena politike afronte dita-ditës. Por qëndrimet që thelluan këtë marrëdhënie mes deputetit socialist dhe grupit parlamentar e kryetarit të PS-së, ishin ndryshimet kushtetuese e veçanërisht miratimi i sistemit zgjedhor proporcional rajonal, duke kulmuar me Kodin Zgjedhor. Memushi e kundërshtoi në mënyrë konstante Kodin e ri Zgjedhor dhe paktin mes PS-së dhe PD-së, duke kërkuar një vendimmarrje sa më të gjerë në Parlament për të. Madje, jo pak herë e cilësoi atë si Kodin e disa individëve, qëllimi i të cilit ishte betonizimi i pushtetit të tyre, duke eliminuar alternativat e tjera politike. Memushi ishte i vetmi deputet i grupit parlamentar socialist i cili doli hapur në mbështetje të deputetëve grevistë të ngujuar në sallën e Parlamentit. Deputetët e LSI-së, PDK-së, PS 91 për nëntë ditë rresht zhvilluan grevë urie në Kuvendin e Shqipërisë duke kërkuar nga dy partitë kryesore, PD-PS të rishikonin Kodin e ri Zgjedhor, para se ai të miratohej. Për nëntë ditë qytetarë dhe mbështetës të kësaj greve protestuan para sallës së Kuvendit e ndër ta dhe deputetë të Kuvendit, mes të cilëve dhe Luan Memushi, Spartak Ngjela por dhe eurodeputetë të ardhur posaçërisht për grevën nga Belgjika. Por rezistenca e Memushit nuk mbaroi këtu. Ai ishte mjaft aktiv dhe gjatë protestës që forcat e vogla politike drejtuar nga LSI zhvilluan pas ndërprerjes së grevës së urisë. Memushi ka kërkuar vazhdimisht respektimin e mendimit dhe propozimeve të pakicës si shprehje të demokracisë në vend, ndërsa ka akuzuar dy partitë kryesore për arrogancë dhe shantazh ndaj partive të tjera.
Greva e urisë për Kodin
Luan Memushi ishte i vetmi deputet socialist, i cili doli hapur në mbështetje të deputetëve që për nëntë ditë rresht zhvilluan grevë urie në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por ai inkurajoi me mbështetjen e tij protestuesit jashtë parlamentit, por dhe brenda sallës deputetët grevistë.
Mbështetës i Fatos Nanos për president
Deputeti socialist ishte një nga firmëtarët në kërkesën mbështetëse të kandidimit të Fatos Nanos për president. Ky veprim i tij nuk u pëlqye nga kryetari socialist Edi Rama, i cili nuk mbështeti paraardhësin e tij në garën presidenciale, por dhe nuk respektoi qëndrimin e deputetëve të grupit socialist