SHBA financojnë linjën e re për demontimin e fishekëve në Uzinën e Poliçanit
Uzina Mekanike e Poliçanit tashmë do të ketë dhe një linjë të re për demontimin e fishekëve. Pas nisjes së punës për demontimin e predhave, pranë kësaj uzine mësohet se ka nisur puna dhe për demontimin e fishekëve. Gjithçka do të realizohet nëpërmjet një aparature bashkëkohore dhe ambienteve tashmë të duhura që janë gati për procesin e punës. Myqerem Xhaferi, drejtori i kësaj uzine bëri me dije se që prej ditës së djeshme pranë kësaj uzine nisi puna për demontimin e fishekëve.
Kjo linjë e re u vu në funksion falë donacionit të aparaturës ku do të bëhet demontimi i fishekëve, donacion ky i dhënë nga Qeveria Amerikane në kuadër të procesit të demontimit të municioneve që trashëgon vendi ynë në vite. Ky proces pune ka nisur me punësimin e 20 specialistëve të kësaj fushe dhe mësohet se do të procedohet duke djegur lëndën djegëse të fishekëve, djegie nga e cila mbetet vetëm gëzhoja që do të tregohet më pas për skrap. Pajisja e teknologjisë bashkëkohore e vendosur në ambientet e uzinës nuk shkakton asnjë problem ndotjeje në ajër, pasi shkatërron me anë të djegies gjithë lëndën djegëse të fishekëve, ndërsa është e pajisur me filtra pastrues për ajrin. Ajo mësohet se është montuar brenda ambienteve të uzinës dhe është vënë në punë brenda të gjitha standardeve të duhura, ndërkohë që kjo procedurë pune është e vetmja që është hapur deri tani në vendin tonë. Drejtori Xhaferi thotë se në vazhdim të punës për demontimin e predhave në uzinën e Poliçanit nisi puna dhe për demontimin e fishekëve që kanë dalë jashtë funksionimit dhe ndodhen në depot e vendit. Ish fusha përpara uzinës mësohet se tashmë është shndërruar në një kapanon me kushte sigurie tepër të larta në një repart ku do të çmontohen fishekët. Aparatura tashmë e vënë në punë çmonton fishekët e të gjithë kalibrave dhe gjithë prodhimeve. Si procedurë pune mësohet se do të ndiqet ajo e grumbullimit fillimisht e sasisë së fishekëve nga repartet e vendit dhe më pas djegia e tyre, djegie nga e cila ngelet vetëm gëzhoja. Sasia që parashikohet se do të çmontohet çdo ditë është tetë ton, ndërkohë që kjo procedurë mësohet se plotëson të gjitha standardet e duhura të sigurisë teknike.