Përfitojnë ish-pronarët dhe shtesat e pallateve

Ajo që pritet këto ditë është miratimi i VKM-së për kompensimin e pronarëve të ligjshëm e më pas kalimi i pronësisë atyre individëve që kanë ndërtuar pa leje mbi trojet që do të kompensohen.
Pikënisja e punës së ALUIZNI-t ka qenë marrja e disa zonave kadastrale, ku është verifikuar pronari i ligjshëm në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Pasi janë bërë të gjitha këto procedura verifikimi, do të kalohet në fazën e kompensimit ndaj pronarëve të ligjshëm. Më pas do të jetë qeveria që vendos se brenda tre muajve ALUIZNI duhet të kryejë kompensimin në vlerë sipas çmimeve të tregut.
Zv/drejtori i ALUIZNI-t, Ferdinad Shehu, shpjegon edhe parimin bazë të ligjit për legalizimet, që “nuk do të ketë legalizim pa kompensim, sikurse nuk mund të ketë urbanizim pa bërë legalizimin”.
Numri dy i ALUIZNI-t shpjegon për “Shqip” procedurat që po ndiqen drejt finalizimit të kalimit të pronësisë për 100 mijë familje në rang vendi.
Duke mbetur te procesi i kalimit të pronësisë ndaj personave që kanë ndërtuar pa leje në toka ku aktualisht ka pronarë të ligjshëm, Shehu sqaron se legalizim do të ketë për sipërfaqe deri në 300 m² brenda vijës së verdhë dhe deri në 500 m² jashtë vijës.
Ai që ka zaptuar më shumë tokë duhet ta rikthejë atë, ndërsa çmimi për këto sipërfaqe është 400 mijë lekë.
Ky është njëri detyrim ndaj shtetit, pasi pronarët e ndërtimeve pa leje duhet të paguajnë shërbimin 4 mijë lekë dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë 2%.
Ndërtimet pa leje
Sa i takon shtesave, aktualisht po shqyrtohen 138 pallate, proces i cili pritet të mbyllet brenda vitit 2008. “Në këtë pikë, pra legalizimi i shtesave varet nga gatishmëria e pronarëve të pallateve, të cilët duhet të paguajnë detyrimet ndaj shtetit. Më pas kalimi i pronësisë nuk përbën problem”, thotë Shehu.
ALUIZNI ka të identifikuar dhe përfunduar si proces shqyrtimi dosje për rreth 60 mijë ndërtime pa leje, kur në të gjithë vendin numërohen rreth 350 mijë.
Mësohet se 1/3 e objekteve pa leje është ndërtuar në tokë pronari.
“Sa i takon afatit se kur nis shpërndarja e tapive, mendoj se do të jetë muaji tetor, proces ky që përfundon në fund të mandatit qeverisës. Megjithatë, e rëndësishme është cilësia e produktit. Ne nuk mund të nxitojmë, pasi i gjithë procesi është kompleks, aktualisht jemi në fazën e ndezjes së motorëve, ndërsa puna duket e mbarë”, thotë Shehu.
Zv/drejtori i ALUIZNI-t thotë se të ardhurat nga pagimi i taksave, çmimit të tokës dhe tarifës së shërbimit, 60% do të shkojë për urbanizimin e zonave, tashmë të legalizuara.
Vonesat
Procesi i legalizimeve të ndërtimeve pa leje është vonuar nga mungesa e kapaciteteve të njësive vendore, të cilat duhet t’i kishin përgatitur dosjet brenda datës 15 shtator 2008.
Edhe pse ligji nr. 9482 i legalizimeve ka hyrë në fuqi, pas dekretimit të Presidentit, më 15 korrik, njësive vendore iu la afat 60 ditë.
Për këtë fakt, ALUIZNI nuk ka qenë dakord, pasi shtyrja e zbatimit të ligjit do të sillte vonesa. Kur është mbushur një muaj nga data e dorëzimit të dosjeve, ka ende njësi të qeverisjes vendore që nuk e kanë mbyllur procesin, siç është rasti i Bashkisë së Tiranës