E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pastrehët, 350 shtëpi të reja në Tiranë

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Rreth 350 familje të pastreha do të mund të përfitojnë nga projekti i ri i banesave sociale. Sipas burimeve zyrtare nga Bashkia e Tiranës, janë dhënë leje ndërtimi në periferi të kryeqytetit për “ndërtimin e banesave për qëllim social”. Janë 350 apartamente që do të ndërtohen në Shkozë, në ish-uzinën e autotraktorëve për të pastrehët e kryeqytetit.
Përzgjedhja
“Pas përfundimit të ndërtimit të këtyre banesave do të fillojë përzgjedhja paraprake e qytetarëve, të cilët do të trajtohen me strehim dhe lista emërore e tyre do t i kalohet për shqyrtim e miratim Këshillit Bashkiak të qytetit”, bëjnë të ditur burime nga Bashkia. Po sipas të njëjtave burime, theksohet se ligji i ri i strehimit u ka kaluar përgjegjësi Bashkive për të përcaktuar nga buxhetet vjetore të tyre fonde për ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët. Në këtë kuadër, Bashkia e Tiranës hartoi Programin 10-vjeçar të Strehimit, i cili ka përcaktuar asete për ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët. Ky transferim i përgjegjësive nga pushteti qendror në pushtetin vendor nuk u shoqërua me alokim të fondeve. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji Bashkia e Tiranës, aplikoi për kredi për ndërtimin e banesave, proces i nisur prej vitit 2005.
Projekti i ri
Momentalisht një ndër projektet e rëndësishme për të pastrehët për Bashkinë e Tiranës është projekti “Ndërtimi i banesave për qëllim social”, financuar nga kredia e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB) dhe buxheti i Bashkisë së Tiranës. Ky projekt synon të adresojë problemin e strehimit të familjeve të pastreha të qytetit të Tiranës dhe pritet të krijojë zgjidhje strehimi nëpërmjet ndërtimit me kredi të 350 banesave sociale me qira në periferi të Tiranës, pranë Fonderi - Mek sh.a. në Shkozë.
3200 të pastrehë
Sipas statistikave, janë mbi 3200 familje në Tiranë pa shtëpi. Procedura e kërkon që çdo vit të merren kërkesat nga bashkitë për nevojat që kanë, ndërsa EKB-ja, duke përllogaritur buxhetin e saj dhe hapësirat e vëna në dispozicion nga njësitë lokale, merr përsipër të nisë ndërtimin ose të blejë apartamente.
Procedura
Sipas ligjit, bashkitë janë të detyruara të vendosin në dispozicion të EKB-së, hapësira të lira për ndërtimin e banesave sociale për t u ardhur në ndihmë të pastrehëve. Për këtë vit, krahas Tiranës, janë vënë në dispozicion disa sheshe të lira për ndërtime në qytetet kryesore të vendit. Midis tyre janë gjashtë sheshe ndërtimi në Durrës, tre në Shkodër, katër në Korçë etj. Këto sheshe janë të pajisura që të gjitha me dokumentacionin e nevojshëm që i hapin dritën jeshile ndërtimit të banesave sociale.
Regjistrimi i banesës
Pas ndërtimit, deri në fund të objektit, EKB-ja e regjistron atë në hipotekë. Në këtë pikë janë të përgatitura të gjitha dokumentet e duhura, si kolaudimi, zbatimi i projektit etj., duke e regjistruar në fillim në emër të EKB-së, më pas lidh kontratën me familjen, duke kryer procedurën e zëvendësimin e emrit në hipotekë. EKB-ja i drejtohet bashkisë, duke e njohur me apartamentet që janë në dispozicion, tipin e tyre, koston, duke përfshirë koston në ndërtim, në hipotekim dhe më pas janë këshillat bashkiake që vendosin sipas statusit të tyre për mënyrën se si do të veprohet. Pra, janë bashkitë që vendosin se cilat nga familjet do të marrin shtëpi, duke u nisur nga prioritetet që ka çdo njësi vendore. Pas aprovimit për marrjen e shtëpisë, janë po bashkitë që lëshojnë një autorizim ku detyrohen të lidhin kontratë me EKB-në për 25 vjet dhe me shlyerje në këste mujore.
Kostoja e apartamentit
Të gjitha apartamentet që u ndërtuan në vitin 2007, koston minimale për metër katror e kishin 27 mijë lekë, pa përfshirë këtu koston për hipotekimin etj. Një familje e pastrehë paguan për 25 vjet shlyerje një këst mujor nga 7 deri në 9 mijë lekë të reja. Po ashtu, një apartament 2+1 kushton rreth 2.2 milionë lekë, ndërsa një apartament 1+1 kushton rreth 1,6 milionë lekë. Në këtë mënyrë, pas autorizimit nga Bashkia, vjen listë-kontrata me emrin e personit të pastrehë, i cili për 25 vjet me radhë bën shlyerjen e detyrimit me anë të kësteve mujore, numri i të cilave shkon deri në 300. Për sa i përket interesit, udhëzimi i Këshillit të Ministrave përcakton qartë se norma është 2 për qind. Kjo nuk vendoset për të fituar, se sa për t u paraprirë luhatjeve të çmimit nga inflacioni.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›