SHBA, hidhet poshtë ligji i Arizonas për emigrantët
Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi ka parë kërkesën e presidentit Barak Obama, mbi ligjin për emigracionin në Arizona, e ka kontestuar atë duke e cilësuar si të padrejtë.
Ligji në fjalë detyron emigrantët të mbajnë dokumente gjatë gjithë kohës dhe lejon policinë të ndalojë dhe kontrollojë persona vetëm me dyshimin si emigrantë. Nën shënjestrën e këtij ligji janë edhe punëdhënësit që punësojnë emigrantë në të zezë pa dokumenta qendrimi, apo edhe ata që ndihmojnë emigracionin duke ofruar mjete transporti për ta. Ligji që përkufizon si "krim" emigrimin ilegal, parashikohet të hyjë në fuqi në fund të muajit korrik, megjithatë tashmë kushtetutshmëria e tij pritet të shqyrtohet prej gjykatës së lartë amerikane.