SHBA i jep tre nota jokaluese Shqipërisë
Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka vlerësuar Shqipërinë me tre nota negative, ndërkohë që vë re se vendi ynë është më mirë se një vit më parë në disa tregues të rëndësishëm të qeverisjes. Nota më e ulët është vënë për politikën fiskale, të cilën kabineti "Berisha" e ka konsideruar si avangardë në krahasim me shumë vende të botës. Në raportin e saj për vitin fiskal 2010, që përfshin periudhën tetor 2009 - tetor 2010, korporata e "Sfidës së Mijëvjeçarit" bën të ditur se vendi ynë është në kuotën negative, të shënuar me të kuqe për "Sundimin e shtetit dhe të ligjit", "Arsimimin e themeltar të vajzave", si dhe "Politikat fiskale. Ndërkohë, në krahasim me vitin e shkuar, Shqipëria ka ecur përpara në sektorët e saj problematikë, siç janë kontrolli i korrupsionit, efikasiteti i qeverisjes, menaxhimi i shpenzimeve qeveritare etj. Kështu në raportin e publikuar dje nga "Millenium Challange Corporation". Shqipëria, në lidhje me shtetin ligjor është vlerësuar me -0.24 pikë ose 38%, nivel që është nën mesataren e kërkuar. Ndërkohë për përfundimin e arsimit themeltar nga vajzat, vendi ynë është sërish nën nivelin e kërkuar, kurse për politikën fiskale Sfida e Mijëvjeçarit vlerëson se Shqipëria është në një nivel të ulët, përkatësisht -4.2 ose 13 %. Në këtë fushë Shqipëria është më keq se vitin e shkuar, ndryshe nga sektorët e tjera. Në raportin e vitit 2009 në politikën fiskale theksohet se vendi ynë është në nivelin - 3.9 pikë. Ndërkaq, për çështjen mjaft të përfolur të kontrollit të korrupsionit sipas "Millenium Challange Corporation" Shqipëria ka marrë 0.09 pikë, ndërkohë që niveli mesatar është 0. Pra për të parën herë vendi ynë kalon "nivelin e detit". Në raportin e vitit të kaluar, Shqipëria për korrupsionin mori -0.12 pikë, pra rritja është mjaft e lartë. Ndërsa për efektivitetin e qeverisjes, raporti i jep vendit tonë 0.08 pikë, ndërsa vitin e shkuar u vlerësuam me 0.00 pikë dhe natyrisht u shënuam me të kuqe. Rritje ka shënuar edhe sektori i shpenzimeve për shëndetësinë dhe shpenzimeve qeveritare, ku nuk jemi më në nivelin e shënuar me të kuqe. Korporata "Sfida e Mijëvjeçarit" nxjerr çdo vit një raport për vendet që përfitojnë nga mbështetja financiare, që kjo kompani mbështetur kryesisht nga Departamenti i Shtetit. Ndërkaq, në një deklaratë të tijin të dhënë dje, ministri i Shtetit, Genc Pollo, u shpreh i kënaqur se Shqipëria renditet mbi mesataren në raportin e fundit të korporatës së "Sfidës së Mijëvjeçarit". "Tashmë Shqipëria për sa i përket luftës kundër korrupsionit është ngritur mbi vijën mesore përcaktuar nga korporata si treguesi thelbësor i një vendi. Kjo do të thotë se ne po i afrohemi programit kompakt që është forma më e lartë e ndihmës që parashikon korporata dhe unë besoj se së shpejti do të kemi lajme të mira në këtë drejtim", tha ministri i Shtetit, Genc Pollo.