E Diel, 1 Nëntor 2026

Lluci: Të zbatohet parime "një minoritar, një votë"

Dilema politike aktuale e subjekteve përfaqësuese dhe spektrit të minoritetit etnik grek për një përfaqësim të këtij komuniteti nëpërmjet partive të mëdha të spektrit politik shqiptar, apo një përfaqësimi nëpërmjet një partie etnike është çështja që po debatohet aktualisht në të gjitha nivelet brenda këtij komuniteti, që është më i madhi i komuniteteve të pakicave etnike në Shqipëri. Drejtues të PBDNJ, të OMONIA-s dhe personalitete të njohura të minoritetit grek në Shqipëri tashmë janë pozicionuar në dy grupime, të cilat mesa duket pasqyrojnë dy linja të rekomanduara përkatësisht nga sallonet e politikës zyrtare në Athinë, që i përmbahen më së shumti përfaqësimit të integruar në spektrin politik aktual të Shqipërisë dhe nga linja e diasporës së fuqishme të përtejoqeanit (SHBA, Kanada, Australi, etj.). Një nga analistët e vëmendshëm të zhvillimeve politike në gjirin e minoritetit etnik grek në Shqipëri, gazetari Kristaq Xha, shprehet se "për momentin kemi të bëjmë me një qëndrim të dyzuar". Sipas tij analisti dhe vëzhguesi të ngjarjeve: Së pari, anëtarët e këtij komuniteti nuk e kanë ende të qartë se çfarë kërkojnë: të jenë qytetarë europianë në një Shqipëri europiane dhe me kombësi greke, apo të kërkojnë të mbeten fallxhorë të zhvillimeve të mundshme gjeostrategjike në Ballkan. Së dyti, vazhdon gazetari Kristaq Xha, përfaqësuesit politikë të komunitetit etnik grek në Shqipëri duhet të dinë se çfarë të kërkojnë nga Athina zyrtare, si e do qeveria greke këtë komunitet grek, europian e të integruar, apo një komunitet grek me mentalitete mesjetare. Mirëpo nuk ndan të njëjtin mendim me gazetarin minoritar Kristaq Xha, një nga përfaqësuesit më të spikatur të minoritetit etnik grek, kryetari i Komunës së Dropullit të Poshtëm, Dhimitër Maluqi, që është jo vetëm kryetari OMONIA-s për Gjirokastrën, por edhe anëtar i Kryesisë së PBDNJ. "Minoriteti etnik grek e ka partinë e tij PBDNJ-në. Idetë dhe dëshirat e disave nuk kanë vend dhe nuk gjejnë mbështetje në gjirin e minoritetit. Personalisht nuk i përkas asnjë grupimi dhe nuk kam qenë pjesëmarrës në debate të kësaj natyre që kërkojnë ngritjen e një partie me bazë etnike. I përmbahem asaj që shpreha në fillim, ne e kemi partinë tonë", shprehu opinionin e tij zoti Maluqi pas interesimit tonë. Ndërkaq një tjetër përfaqësues i minoritetit etnik grek, kryetari i Komunës së Finoqit, ish-deputeti i PBDNJ-së, Ziso Lluci i përmbahet idesë së riorganizimit dhe rikthimit të OMONIA-s në pozicionin e një subjekti elektoral. "Nuk jam për krijimin e një partie të re, por pas miratimit të disa ndryshimeve në statutin e OMONIA-s, pas miratimit të neneve që do të sillnin më shumë hapësira demokratike brenda organizatës më të madhe dhe përfaqësuese të minoritetit grek, pas miratimit të nenit për zgjedhjen e kryetarit dhe organeve drejtuese të saj me parimin ‘një minoritar, një votë‘, OMONIA do të kthehet në një faktor të bashkimit politik të të gjithë minoritarëve.

Ë.Serjani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›