E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, ish-presidentët Clinton dhe Bush krijojnë një fond ndihme për Haitin

Barack Obama, presidenti amerikan, ftoi ditën e shtunë në Shtëpinë e Bardhë ish-presidentët George W. Bush dhe Bill Clinton për të diskutuar rreth misionit të tyre të përbashkët në ndihmë të popullit të Haitit. Presidenti Obama u shpreh se misioni i dy presidentëve dërgon një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht popullin e Haitit.
Pas këtij takimi u njoftua se dy ish-presidentët kanë ngritur një fond, i quajtur "Clinton-Bush Haiti Fund", për të grumbulluar fonde dhe para për Haitin. Ky fond do të marrë donacione nëpërmjet Internetit dhe premton që 100 % të parave të përdoren menjëherë për përpjekjet e ndihmave.
Ish-presidenti Clinton, gjatë fjalës së tij u zotua për ndihmë afatgjatë për popullin haitian që ai t'i shpëtojë, siç u shpreh ai, historisë së tij dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë.Ndërsa ish-presidenti republican, pasardhësi i Bill Clinton, George Bush u shpreh se ishte i kënaqur që i përgjigjej thirrjes për të punuar krah për krah me paraardhësin e tij demokrat, ish-presidentit Bill Clinton, për të mobilizuar dhembshurinë e popullit amerikan.
Ndërkohë në Haiti, punonjësit e ndihmave po punojnë pa pushim për shpërndarjen e ushqimeve, ujit dhe ilaçeve tepër të nevojshme për të mbijetuarit e tërmetit në kryeqytetin Porto Princ dhe rreth tij.Haiti dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje në bazë të së cilës Shtetet e Bashkuara morën kontrollin e aeroportit në Porto Princ, ku mbërrijnë shumica e ndihmave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›