E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-ja vazhdon sulmet me raketa në Pakistan

Fluturaket amerikane pa pilot kanë hapur sot zjarr në drejtim të një shtëpie në Pakistan, duke vrarë me këtë rast së paku 15 persona, kanë njoftuar zyrtarët për inteligjencë.

Katër raketa qëlluan një shtëpi në rajonin e Shaktoit, në Vaziristanin Jugor, shtëpi kjo e cila sipas zyrtarëve të inteligjencës është shfrytëzuar nga militantët uzbekë, të cilët veprojnë në radhët e talebanëve në Pakistan.

Një sulm i ngjashëm është ndërmarrë në të njëjtin rajon edhe të enjten e kaluar, në shënjestër të së cilit ishte vënë takimi i komandantëve të militantëve, përpjekje kjo e pasuksesshme për të vrarë udhëheqësin e talebanëve në Pakistan.

Sulmi i sotëm me raketa ishte i dhjeti që nga fillimi këtij viti. Në shënjestër të këtyre sulmeve janë vënë shënjestrat në Vaziristanin Jugor dhe Verior, rajone këto të cilat dominohen nga militantët talebanë dhe ata të Al Qaidës, të cilët po luftojnë si qeverinë e Pakistanit, ashtu edhe forcat ndërkombëtare të stacionuara në Afganistanin fqinj.

Kishte informata kundërthënëse për atë se sa persona u vranë gjatë sulmit të sotëm. Disa zyrtarë të inteligjencës theksuan se janë vrarë 12 persona, ndërsa disa zyrtarë tjerë theksuan se janë vrarë 15 persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›