E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-ja forcon mbrojtjen kundërajrore në Gji

Administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, po punon për të forcuar mbrojtjen kundërajrore në Gjirin Persik, me qëllim që të mbrohet nga sulmet potenciale nga territori i Iranit.

SHBA-ja ka filluar të vendosë anije speciale afër brigjeve të Iranit dhe sisteme kundër-raketore në së paku katër shtete arabe në rajon, ka njoftuar gazeta New York Times.

Stacionimi i sistemeve shtesë të mbrojtjes po zhvillohet në momentin, kur Obama po tenton, pas një serie të dështimeve diplomatike, që të sigurojë konsensusin ndërkombëtarë për Iranin, për t’i vendosur sanksione shtesë Teheranit për shkak të programit të vet kundërthënës bërthamor.

Obama gjatë fjalimit drejtuar kombit, të zhvilluar javën e kaluar, ka tërhequr vërejtjen për pasojat, nëse Irani vazhdon të injorojë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare.

NYT theksoi se vendimi për të stacionuar sisteme shtesë të mbrojtjes shihet si pjesë e “strategjisë së koordinuar për të shtuar trysninë ndaj Iranit”, si dhe që të eliminohet përshtypja se Irani me shpejtësi po shndërrohet në fuqinë më të madhe ushtarake në Lindjen e Mesme.

Shtetet, të cilat kanë pranuar stacionimin e sistemeve amerikane në territoret e tyre janë Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Kuvajti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›