E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA kandidatet rinisin fushaten elektorale

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe sfiduesi i tij republikan, Mitt Romney, pritet të intensifikojnë fushatën. Obama ka lënë mënjanë fushatën e tij gjatë tre ditëve të fundit, për t'u përqendruar në reagimin e qeverisë ndaj uraganit Sandy. Stuhia e fuqishme ka shkaktuar viktima dhe shkatërrime në Shtetet e Bashkuara. Romney po ashtu ka ndërprerë fushatën për tre ditë. Sondazhet e opinionit vazhdojnë të sugjerojnë se të dy kandidatët janë në garë të ngushtë. Amerikanëve u kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm më 6 nëntor. Në fakt vizita e Obamës në Nju Xhersin e goditur nga uragani ka shënuar dhe kthimin e tij në fushatën elektorale. Kreu i shtëpisë së bardhë ka bërë një inspektim prej më shumë se një ore në rajonin e përmbytur dhe është takuar me disa të evakuar duke i premtuar se do të bënte të pamundurën që situata të kthehej sa më shpejt në normalitet. Obama iu është drejtuar njerëzve duke u premtuar se qeveria federale do të bashkëpunonte ngushtë me autoritetet vendore dhe do ta bënte këtë derisa e gjithë puna të përfundonte. Një punë kjo që ka marrë dhe komplimentet e guvernatorit republikan të Nju Xhersit, Kris Kristi. Ndërkohë që Mit Romni ka vijuar fushatën e tin në Tampa, florida, dhe ka bërë thirrje për solidaritet për viktimat. Romni i cili ndihet i fortë në Florida po përpiqet të fitojë terren në shtete të tjera duke investuar në reklama në Pensilvani, Minesota dhe Micigan. Sipas sondazheve më të fundit Obama, i cili do të jetë në Kolorado dhe Nevada është një pikë në avantazh ndaj rivalit republikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›