SHBA, katalizatore e fuqishme e aspiratës integruese të Shqipërisë

TIRANE - Vizita disa ditore e kryeministrit Sali Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimet e rëndësishme të zhvilluara me përfaqësuesit e lartë të administratës “Obama”, konfirmoi qartësisht se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA do të vazhdojnë të intensifikohen në nivele edhe më të larta në të ardhmen, ku zhvillime të rëndësishme pritet të paraprijnë.
Shqipëria do të aderojë në prill me të drejta të plota në Aleancës e Atlantikut të Veriut dhe Sekretarja e Departamentit të Shtetit Hillari Klinton deklaroi gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha se, SHBA-të janë të impresionuar nga progresi i Shqipërisë dhe se e mirëpresin atë në aleancën e lirisë gjatë punimeve të samitit të NATO-s, në Strasburg dhe Këln.
Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten mbështetësit kryesorë të Shqipërisë, si në ecurinë e proceseve integruese, ashtu edhe në konsolidimin e demokracisë në vend dhe ky bashkëpunim i ngushtë mes dy vendeve do të vazhdojë me të njëjtat ritme edhe me administratën e re “Obama”.
Në kuadër të vizitës së tij disa ditore (3- 6 Shkurt), në Ëashington DC, ku ishte i ftuar të merrte pjesë në Mëngjesin e 57-të të Lutjeve, kreu i qeverisë shqiptare Saoi Berisha shfrytëzoi rastin për të zhvilluar takime me personalitetet më të larta amerikane, mes të cilëve me zv/presidentin amerikan, Joe Biden dhe Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton, të cilët siguruan mbështetjen e tyre ndaj vendit tonë.
Një axhendë e ngjeshur takimesh me senatorë, kongresmenë, por edhe personalitetet më të larta të administratës Obama, karakterizuan vizitën e Shefit të qeverisë shqiptare në Ëashington DC.
Integrimi europian dhe euroatlantik i Shqipërisë, rezultatet e reformave dhe progresi i vazhdueshëm në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ishin në fokus të takimeve të kryeministrit Berisha në SHBA. Zv/Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, siguroi se “administrata e re amerikane do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese”.
Zv/Presidenti Biden pranoi gjithashtu ftesën e Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë.
Takimi me kryeministrin Berisha shënonte edhe takimin e parë që Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, zhvillonte me një Kryetar Qeverie, pas marrjes së këtij posti të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit.
“Një takim i shkëlqyer ku u theksuan marrëdhëniet e ngrohta midis dy vendeve”, kështu u cilësua ky takim gjatë të cilit, Sekretarja Klinton ka shprehur entuziazmin e saj për pranimin e Shqipërisë në NATO.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe për ligjin e lustrimit, ku Kryeministri Berisha siguroi se ”nuk do të ketë një gjueti shtrigash, por do të ndiqen të gjitha proceset kushtetuese dhe qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces”.
Kreu i qeverisë shqiptare shprehu gjithashtu gatishmërinë që Shqipëria të çojë edhe një kompani shtesë në Afganistan.
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim edhe me ish-Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, gjatë të cilit u shpreh se “anëtarësimi në NATO do të thotë për Shqipërinë rikthim në gjirin e kombeve të lira”.
Shqipëria u vlerësua gjithashtu si një partner serioz i Aleancës së Atlantikut të Veriut, nga zv/sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Gordon England. Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, England vlerësoi seriozitetin dhe përkushtimin me të cilin po drejtohen reformat në Shqipëri.
“Shqipëria dhe shqiptarët janë mbështetësit më të fortë të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe SHBA-së”, u shpreh kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me ish-Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-ve, William Cohen, aktualisht President i kompanisë së fuqishme të konsulencës në botë “Cohen Group”.
Një interes të veçantë për reformat integruese në Shqipëri, ka shprehur edhe Spikerja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi. Ajo e siguroi Kryeministrin Berisha për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe pranoi ftesën për të vizituar së shpejti vendin tonë.
“Administrata e Presidentit Obama do të vazhdojë të njëjtën mbështetje dhe vëmendje ndaj Shqipërisë”, siguroi Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i zv/Presidentit të SHBA, Antoni Blinken gjatë një takimi me Kryeministrin Berisha.
Në vijim, kryeministri Berisha zhvilloi një takim edhe me Senatorin e njohur amerikan, John McCain, kandidat presidencial në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA. Senatori McCain vlerësoi sukseset e qeverisë shqiptare, si dhe konsideroi si shumë mbreslënëse reformat e ndërmarra në vend.
Ndërsa gjatë takimit me Kongresmenin e njohur amerikan, Eliot Engel, Kryeministri Berisha mori vlerësime për arritjet e qeverisë shqiptare në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, modernizimit të administratës.
Në një takim të veçantë me gjeneralin Wesley Clark, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në të gjitha takimet e zhvilluara në Washington, Kreu i Qeverisë shqiptare ka siguruar partnerët amerikanë se zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, të cilat janë vlerësuar si kusht për integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO, do të zhvillohen konform të gjitha standardeve të kërkuara.
L.Q