Fokus/Vëmendje ndaj ushtrimit të parregullt të funksionit të zëvendëspresidentit, prej Kreshnik Spahiut

Kushtetuta e Shqipërisë nuk e parashikon zgjedhjen dhe statusin e një zëvendëspresidenti të mundshëm. Megjithëse “de jure” ky pozicion ngelet “vakant”, “de facto”, duke pretenduar se i bën një shërbim të madh vendit dhe banorëve brenda kufijve administrativë të Shqipërisë, këtë post falë “zemërgjerësisë” së tij, po e mbulon, jo aq vullnetarisht, Kreshnik Spahiu.
Duke qenë se pozicioni “de facto” i Presidenti të Republikës nuk e kapërcen kufirin e dekretimit, mosdekretimit, apo indiferentizmit të mundshëm ndaj ligjeve të tipit të “lustracionit”, “kontrolli” mbi pushtetin e drejtësisë, i vetmi që duhet të ushtrohej nga kreu i shtetit, duket se është dhuruar në duart e zëvendësit të tij në KLD, Kreshnik Spahiut. Në këtë “përjashtim” nuk mund të lihet pa u marrë në konsideratë fakti se kreu i shtetit nuk mund të jetë asgjë më shumë se formalisht, një Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, sërish “de facto”, sepse kjo “e drejtë” do të fillojë të jetë “onorifik”, pa hyrjes së ushtrisë shqiptare në NATO-s, prillin e këtij viti e muajt në vijim. Ah..., po, brenda “kompetencave” të kreut të shtetit, ngelet ende shpërndarja e ca dekoratave, të cilat edhe ato sikurse shkruan shtypi këto ditë, janë ca llamarina pa vlerën as të skrapit të paktën...
Në këtë molepsje (mos)kompetencash, në hierarkinë e (mos)varjes nga Presidenti, i vetmi person që ka ca “të drejta” mbi sistemin e drejtësisë, vetëm pse ka studiuar për drejtësi dhe bie fjala jo për bujqësi, është zëvendësi i Presidentit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Ai mund të mos ketë të drejtën e (mos)dekretimit të mundshëm të ligjeve, mund të mos e ketë “merak” postin “honorifik” të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, apo mund të mos ia ndjejë aspak për të shpërndarë ca llamarina në formë dekoratash... Por ama, kur bie fjala e “shpalljeve të tenderëve” për ndëshkim në sistenmin e drjetësisë të gjyqtarëve të mundshëm, ai mund të arrijë deri atje sa të shpallë “kalendarin turistike” të mbledhjeve të KLD-ës vetëm për t’u përcjellë mesazhin “kandidatëve për ndëshkim”, por pas kësaj, mund të bëjë “harraqin” e shpëtimtarit të “reformimit të drejtësisë”, dhe të fshijë me një të rënë të lapsit gjithë listën, jo të kandidatëve për ndëshkim, por edhe të mbledhjeve ndëshkuese të KLD-së, të paralajmëruara me shumë pompozitet.
Por, e gjithë kjo nuk është asgjë përballë atributeve që ai i ka veshur vetes, në emërim-mosemërimin në sistemin e drejtësisë.
Midis thashethemeve dhe të vërtetave, në procesin e emërim-mosemërimit në sistemin e drejtësisë, në emër të reformës në drejtësi, është e tepërt të numërohen emrat e nominuar të përfaqësuesve të drejtësisë, “të kualifikuar”, kur kjo mundësi ka qenë vetëm e Kreshnik Spahiut, zëvendëspresidentit “de facto” të Republikës dhe “të skualifikuar”, kur kjo mundësi nuk ka qenë edhe aq në duart e Kreshnik Spahiut, zëvendëspresidentit “de facto” të Republikës.
Tendenca e Kreshnik Spahiut (me thënë të vërtetën një tendencë e dalë boje), për të luajtur rolin e zëvendëspresidentit të Republikës, shprehet më shumë prej tij, edhe në përpjekjet që për tu bërë protagonist politik, pas keqpërdorimit të anonimëve të shoqatave anonime të gjyqtarëve, tenton promovimin e tyre, me qëllim shpërblimi, sikurse bie fjala, tentativa dhe përpjekja e fundit për të katapultuar Manjola Bejlerin, nga kryetare e një shoqate në shërbim të Kreshnik Spahiut, në krye të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës.
Në antipod me këtë tendencë, për t’i gjetur një punë të mirë mbështetësve të keqpërdorur prej tij, Kreshnik Spahiu shpërfill magjistratët e gjyqësorit, duke injoruar emërimin e tyre, pse ata nuk kanë dhënë prova se mund të jenë vegla në duart e këtij Kreshnik Spahiu, sikurse bie fjala Manjola Bejleri. Përpos kësaj, kandidaturat magjistratë as nuk kanë zgjedhur për të qenë pjesë e tenderit të Kreshnik Spahiut, për të merituar një vend gjyqtari që ata e meritojnë, për shkak të kualifikimit profesional, që është më i madh në vite e në nivele, nga ai i “përzgjedhësit” të aftit të tyre, zëvendëspresidentit të Presidentit të Republikës Spahiut....