E Hënë, 2 Nëntor 2026

Thirret nga Edvini një fundjavë me shiringa në Kullën e Pezës

Politika socialiste bie në koma, pas vizitës së kryeministrit Berisha në Uashington. Për të rimarrë veten nga izolimi, një strategji e politikë e re pritet të dalë nga shiringat (politike) të kësaj fundjave në Pezë, ku janë të pranishëm edhe Dash Peza, Erion Veliaj e Mimi Kodheli (Mrika).

Rikonfirmimi që kryeministri Sali Berisha ka marrë këto ditë në Uashington në lidhje
me kredibilitetin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që qeveria e koalicionit të djathtë
ka edhe me administratën e re amerikane të drejtuar nga demokrati Barack Obama, duket se ka futur në panik krejt Partinë Socialiste dhe entourage-in mediatiko-ekonomik
që e rrethon. Ndërsa shumëkush duke filluar nga kryesocialisti Rama në krye dhe pjesëtarë eminentë apo kapterrë të thjeshtë të detashmentit mediatik pranë tij, besonin se graviteti politik i zotit Berisha dhe shumicës që ai drejton prej më shumë se 3 vitesh e gjysmë në Shtëpinë e Bardhë po shterronte, së bashku me mandatin 8-vjeçar të presidentit republikan Xhorxh Ë. Bush, takimet e përzemërta të ditëve të fundit me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden, Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton si dhe zyrtarë të lartë të Pentagonit, kongresmenë dhe senatorë me emër, kanë demonstruar tërësisht të kundërtën ose më saktë kanë treguar se për SHBA ka shumë më shumë një rëndësi serioziteti i treguar në një partneritet të ngushtë, ndarja rigoroze e disa vlerave bazike për të cilat është rënë dakord me parë apo edhe përmbushja e detyrimeve të përbashkëta siç është lufta globale ndaj terrorizmit, sesa pasja e disa afiniteteve ideologjike për t’u dakorduar.
Këto dhe perspektiva e mundshme e vizitës së shefit të Shtëpisë së Bardhë në Tiranë, e dyta kjo në harkun kohor të 2 viteve, fill pas samitit jubilar të 60-vjetorit të themelimit te Aleancës së Altantikut të Veriut (NATO), shkaktojnë natyrshëm një atmosferë ankthi në selinë rozë. Aq më tepër kur me ose pa dëshirë “xhaketat e vjetra” por edhe ato “të reja” në PS, kanë qenë të detyruara që të nginjen me perceptimet sentimentale që drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj ka pasur në mënyrë naive ndaj ndryshimit të kursit politik përtej Atlantikut. Perceptime që e shihnin në mënyrë absurde presidentin e ri amerikan në rolin e atij që përpara se të merret me krizën e rëndë ekonomike që ka kapluar jo vetëm SHBA por krejt botën, të rreket ethshëm në kërkim-identifikimin dhe në fund përkrahjen pa rezerva të të “të ngjashmëve të vet” anekënd globit duke përfshirë këtu edhe fansat e tij të MJAFT-it e G99-s. Kumtet e hidhura që erdhën këto ditët nga SHBA pritet që të
rikthejnë sulmet ndaj faktorit ndërkombëtarë ndërsa aksioni politik përcaktohet
që të marrë energji përmes rrugëve që injektojnë politikë intravenoze në Kullën e Pezës, gjatë uikendit.
Së bashku me Edvinin aty janë Dash Peza, Erion Veliaj, Mimi Kodheli (Mrika),
por ende nuk është e qartë se ç’tip shiringash janë… E sigurt është që pas këtij
trajtimi, protagonistët e zijafetit jashtë Tiranës do të ndryshojnë rrënjësisht mimikën dhe gjuhën që do të përdorin para opinionit publik. Klithmat e djeshme të Patosit e të Vlorës ishin thjesht një banko-provë, për shkak të paradhënies së politikës së shiringave, që po zë fill e po vendos regjim në Partinë Socialiset. Nuk dihet nëse për këtë sulm të radhës ndaj organizmave perëndimore do të vihen në përdorim manualet shabllon që gjenden në arkivat e botimeve komuniste kundër imperialisto-revizionistëve, megjithatë cinizmi apo mohimi i gjithçkaje dhe vlerësimi i asgjëje do të jetë baza e kësaj fushate.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›