SHBA kërkon shpjegime nga Afganistani

Komandanti ushtarak amerikan në Afganistan, Xhon Allen, ka kërkuar nga Afganistani informacione lidhur me pretendimet se spiunët nga vendet fqinje po i inkurajojnë ushtarët afganë që të kthehen kundër forcave të NATO-s.
Gjenerali Xhon Allen thotë se Kabuli ende nuk ka paraqitur informacione të tilla dhe se dëshiron të dijë se si Afganistani ka arritur në të tilla konkluzione.
Xhon Allen tha se ekzistojnë një mori shkaqesh për rritje të “sulmeve të brendshme” nga trupat afgane kundër ushtarëve të NATO-s, gjatë vitit të kaluar, përfshirë edhe infiltrimin e forcave afgane nga talibanët.
Kabuli ka rekrutuar dhjetëra mijëra policë dhe ushtarë për përgatitje për tërheqjen e NATO-s në fund të vitit 2014.
Zyrtarët afganë kanë pranuar se disa “sulme të brendshme” janë kryer nga rekrutët aktualë, që nuk ishin verifikuar në mënyrë adekuate.