“SHBA, krenare që janë partnere me Shqipërinë - presim me kënaqësi ndërveprime të tjera”

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, takim me deputetë të Komisionit parlamentar të Sigurisë: “Mbikëqyrja parlamentare me rëndësi në çështjet e sigurisë”
Mbikëqyrja parlamentare mbi aktivitetet ushtarake dhe çështjet e sigurisë kombëtare është një parim themelor dhe me shumë rëndësi për një vend anëtar të NATO-s, si Shqipëria, deklaroi të martën ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, pas një takimi me deputetë të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Ky komision zhvilloi një seancë të posaçme ku diskutohen çështje nga fusha e mbrojtjes në vend si dhe trajnimi i kryer më herët nga komisioni në Berlin të Gjermanisë. Për më shumë se një orë, me dyer të mbyllura, diplomati amerikan ka diskutuar me deputetët për detajet e këtij drafti që mban firmën e kryetarit të komisionit Leonard Demi.
Pas mbledhjes u njoftua se projektligji do të nisë të shqyrtohet që javën që vjen.
Pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura, në prononcimin për mediat, ambasadori amerikan vlerësoi bisedimin shumë konstruktiv”.
“Së pari, dëshiroj të shprehem që e vlerësoj sinqerisht ftesën e Kryetarit Demi dhe Zëvendëskryetarit Gjoni që më ftuan. Patëm një diskutim shumë konstruktiv. Fokusi i takimit, siç e shprehën dy zotërinjtë, ishte roli i mbikëqyrjes parlamentare mbi çështjet ushtarake dhe të sigurisë së vendit. Folëm mbi parimet themelore, meqenëse si Shtetet e Bashkuara edhe Shqipëria janë aleatë në NATO. Mes parimeve të shumta që diskutuam, theksin e vumë tek tri prej tyre posaçërisht. I pari është që çdo anëtar i NATO-s merr përsipër angazhimin të ketë një sistem funksionues politik demokratik të bazuar në ekonominë e tregut. Parimi i dytë është angazhimi për marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Parimi i tretë themelor është mbikëqyrja civile mbi veprimtaritë ushtarake dhe çështjet e sigurisë kombëtare”, theksoi Arvizu.
Duke nënvizuar diskutimin si “shumë të frytshëm” ambasadori tha se “Përsëris, ishte një diskutim shumë i frytshëm. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partnere me Shqipërinë dhe presim me kënaqësi ndërveprime të tjera të këtij lloji”.
Nga ana e tij, kryetari i komisionit Leonard Demi vlerësoi takimin me ambasadorin Arvizu, i cili tha ai vjen pas një vizite të anëtarëve të këtij komisioni në Qendrën Marshall në Gjermani.
“Në takim u bisedua dhe për aktivitetin e parlamentit dhe komisionit të Sigurisë në mbikëqyrjen parlamentare. Ky është një dialog i kahershëm që ne kemi, të cilin do ta vazhdojmë dhe me përkrahjen e ambasadës së SHBA-së”, theksoi Demi.
Më pas ai bëri të njohur se javën e ardhshme në komision do të fillojë diskutimi i projektligjit për “Mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve informative të vendit”, i cili bazohet në përvojën më të mirë të vendeve demokratike, si Anglia.
“Javës që vjen në komisionin e sigurisë ne do të fillojmë të diskutojmë ligjin për mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve informative të vendit tonë”, tha Leonard Demi, kryetar i komisionit të sigurisë.
Ndërsa në deklaratën e tij, përfaqësuesi i opozitës, nënkryetari i komisionit, Ilir Gjoni vlerësoi mbështetjen që ambasada amerikane i ka dhënë Kuvendit përmes ekspertizës ligjore të ofruar në përgatitjen e ligjeve, siç është rasti i ligjit “Për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve inteligjente”, si dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet e sigurisë, sidomos me Ministrinë e Mbrojtjes, Shërbimin Informativ dhe shërbime të tjera.
“U vlerësua me të madhe se si te ambasadori ashtu dhe të gjithë anëtarët e komisionit nevoja e forcimit të rolit mbikëqyrës të komisionit të sigurisë si një nga elementët e domosdoshëm dhe fondamental të funksionimit të shtetit ligjor të rritjes së transparencës së institucioneve të sigurisë dhe për rrjedhojë dhe të rritjes së besimit të opinionit public”, u shpreh Ilir Gjoni, nënkryetar i Komisionit të Sigurisë.
Ligji që synon të vërë nën kontrollin e parlamentit të gjitha shërbimet e fshehta informative dhe të sigurisë në Shqipëri rikthehet pas tre vitesh që qëndron në sirtarët e Kuvendit.
Kontrolli do të realizohet nëpërmjet një nënkomisioni të posaçëm, kryetari i të cilit do të jetë nga radhët e opozitës. Mbledhjet do të jenë të mbyllura për publikun dhe mediat. Anëtarët e kësaj strukture të re do të mbajnë përgjegjësi penale për çdo rrjedhje informacioni.