E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA kritikon planin e Izraelit për ndërtime të reja

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar vendimin e Izraelit për të autorizuar ndërtimin e mbi 3 mijë ndërtesave të tjera në Jerusalemin Lindor dhe në Bregun Perëndimor.

Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi se aktivitete të tilla kthejnë pas përpjekjet për arritjen e paqes. Vetë Shtëpia e Bardhë më herët e kishte cilësuar propozimin si joproduktiv.

Vendimi i Izraelit erdhi pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi pro ngritjes së statusit të Palestinës në shtet vëzhgues jo-anëtar. Mocioni i ditës së enjte mori 138 vota pro, 9 kundër dhe 41 abstenim. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara votuan kundër propozimit.

Duke iu drejtuar një audience në Washington, ku ishin të pranishëm ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak dhe ai i Jashtëm, Avigdor Lieberman, Clinton tha se “votimi duhet të na bëjë të mendojmë”. “Të gjitha palët duhet ta shqyrtojnë mirë rrugën që kanë përpara”, shtoi Clinton.

Ajo tha se palestinezët duhet të ishin bindur se negociatat me Izraelin ishin e vetmja rrugë për një shtet të pavarur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›