E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, kryeministri Berisha takon Hillary Clinton

WASHINGTON - Në kuadër të vizitës së tij në SHBA, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Sekretaren Amerikane të Shtetit, zonjën Hillary Clinton.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, përpara nisjes së takimit, sekretarja Clinton theksoi se Shqipëria mbetet partnere e fortë e SHBA-ve, ndërsa vlerësoi si mjaft të mira marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Eshtë një nder të mirëpres kryeministrin e Shqipërisë këtu në Departamentin e Shtetit. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë e të thelle që ne e vlerësojmë maksimalisht. Mezi pres të diskutoj me kryeministrin Berisha për shumë cështje për të cilat ne po punojmë si në aspektin bilareteral, rajonal dhe global. Zoti kryeministër mirëserdhët".- deklaroi zonja Clinton.

Nga ana e tij, shefi i qeverisë shqiptare e cilësoi zonjën Clinton si një mike të madhe të Shqipërisë dhe theksoi se do ta bindë atë të vizitojë Shqipërinë në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë.

“Jam shumë i lumtur dhe shumë mirënjohës që ndodhem këtu të takoj sekretaren Clinton. Ajo është një mike e madhe e vendit dhe e kombit tim. Unë po ju rrëfehem këtu. Një prej qëllimeve të këtij takimi është ti kërkoj asaj të vijë në Shqipëri në 100 vjetorin e pavarsisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol kryesor në të gjitha momentet më të vështira të historisë tonë. Kështuqë cdo shqiptar do të jetë krenar dhe i lumtur për këtë vizitë të saj. Gjithashtu ne do të diskutojmë për shumë cështje të interesit tonë dypalësh. Shqipëria ka patur një privilegjin e jashtëzakonshëm të mbështetet nga ky vend i madh, nga administrata e presidentit Obama, nga Sekretarja Clinton, në të gjitha përpjekjet e saj për të ndërtuar një demokraci të bazuar në lirinë e tregut. Faleminderit shumë.”- deklaroi kryeministri Berisha.

Në përfundim të takimit, Sekretarja e Shtetit Clinton dhe Kryeministri Berisha do të dalin në një konferencë të përbashkët për median. 

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryeministri do të takohet me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është dhe njëkohësisht kreu i Kongresit të SHBA, zotin John Boehner.
Gjithashtu, Kryeministri do të ketë në Washington DC, takime me personalitete të tjera si senatorja Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit për Çështjet Europiane, zoti Richard Morningstar, i Dërguari i Posaçëm i Sekretares së Shtetit për Energjinë në Euroazi, etj.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Kryeministri Berisha është i ftuar në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar “Besa”, me producente Johanna Neumann, në Holocaust Memorial Museum, në Washington DC. Dokumentari i Neumann sjell historinë e jashtëzakonshme të mikpritjes, strehimit dhe mbrojtjes së një familjeje hebreje në Shqipëri dhe përmes saj, historinë e një kombi që hapi dyert e shpëtoi nga shfarosja qindra familjeje hebreje, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kryeministri Berisha do t’i drejtohet audiencës me një fjalë, si dhe do t’i akordojë zonjës Neumann çmimin e mirënjohjes.

Një moment të veçantë në axhendën e Kryeministrit është pjesëmarrja si i ftuar nderi në kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës “VATRA”, në New York. Me këtë rast, do të zhvillohet konferenca shkencore “Federata Pan-shqiptare e Amerikës ”VATRA, 100 Vjet në shërbim të kombit”, ku do të mbajnë kumtesa studiues e akademikë shqiptarë. Kryeministri Berisha do t’i drejtohet Konferencës me një fjalë.

Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit në Washington DC, do të vizitojë shtëpinë muze të Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetësit të madh të pavarësisë së Shqipërisë, Woodroë Wilson.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›