E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA kunder konfliktit ne Siri

Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara në Siri kanë ngritur akuza të tjera për ekzekutime, pasi u gjetën 13 trupa të lidhur, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet se vazhdimi i vrasjeve në vendin e përfshirë nga dhuna do të sjellë ndërhyrjen ushtarake nga jashtë.
Pas publikimit të lajmit për ekzekutimet, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Suzën Rajs, tha se një koalicion vendesh mund të jetë i detyruar të marrë masa, nëse plani i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, dështon plotësisht. Kjo është një deklaratë e qartë që lë të kuptohet se bëhet fjalë për ndërhyrje ushtarake.

“Ky po kthehet në një konflikt të mirëfilltë, ndërkohë që armët po hynë në vend nga të gjitha anët. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe të komunitetit ndërkombëtar kanë vetëm opcionin nëse do të marrin masa jashtë planit Anan dhe autoritetit të këtij Këshilli”.
Lidhur me sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Sirisë, zonja Rajs tha se gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit, u paraqitën pikpamje të ndryshme, ku disa vende u shprehën me skepticizëm, ndërsa disa të tjara thanë se sanksionet duhet të ishin vënë në zbatim shumë kohë më parë.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, u tha gazetarëve se sanksione të njëanëshme janë në fuqi kundër Sirisë dhe se qendrimi i atij vendi ndaj sanksioneve të OKB-së vazhdon të jetë negativ. I pyetur për komentet e zonjës Rajs për mundësinë e veprimeve jashtë autoritetit të Këshillit të Sigurimit, zoti Çurkin theksoi se është i domosdoshëm zbatimi i planit Anan nga të gjitha palët, qeveria, opozita dhe komuniteti ndërkombëtar.

Këshilli i Sigurimit pret të dëgjojë një raport të zotit Anan javën e ardhshme për bisedimet e tij në Lindjen e Mesme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›