SHBA, marokeni pranon akuzat për sulm ndaj Kongresit amerikan
Një maroken i akuzuar për tentativë sulmi vdekjeprurës me bombë në godinën e Kongresit Amerikan para disa muajsh, pranoi fajësinë dhe përballet me deri në 30 vjet burgim. Amine El Khalifi, një emigrant i paligjshëm që banonte në shtetin lindor të Virxhinias, pranoi fajësinë në një gjykatë federale, si pjesë e një marrëveshjeje me prokurorët.
29 vjecari El Khalifi u arrestua në shkurt në një parkim pranë Kapitolit, i veshur me një jelek që ai mendonte se ishte vetëvrasës dhe i mbushur me eksplozivë, i dërguar nga al-Kaeda. Në fakt, jelekun dhe një armë ia kishin dhënë agjentë të fshehtë amerikanë që ishin shfaqur si operativë të al-Kaedës.
Zyra Federale e Hetimeve, FBI-ja tha se si arma, ashtu edhe bomba ishin të rreme, the publiku nuk ishte rrezikuar për asnjë moment.
Arrestimi i el-Khalifit pasoi një operacion që zgjati disa muaj, ku sipas FBI-së ai kishte folur me agjentë të fshehtë për dëshirën e tij për të sulmuar disa objektivë në zonën e Uashingtonit, si hakmarrje për atë që ai e shihte si luftë e Shteteve të Bashkuara ndaj myslimanëve.
Ai u akuzua për tentativë për përdorim të një arme shkatërrimi në masë dhe mund të ishte përballur me burgim të përjetshëm nëse ceshtja e tij do të kishte shkuar në gjyq.