E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, mbështetje për Këshillin Kombëtar të opozitës libiane

Një diplomat i lartë amerikan ka deklaruar se beson se figura të rëndësishme në regjimin e udhëheqësit libian Moamar Gadafi do të donin ta braktisnin këtë regjim, por qëndrojnë në Tripoli si rezultat i frikës dhe terrorit. Ambasadori amerikan në Libi, Xhin Krec ka deklaruar se ekziston një konsensus i përgjithshëm në vend se e vetmja zgjidhje për krizën është largimi i Gadafit nga skena.

Nuk ka pasur figura të larta të kampit të Gadafit që të kenë braktisur regjimin që kur Ministri i Jashtëm libian dhe ish-Shefi i Shërbimeve të Zbulimit Musa Kusa u arratis për në Britani afro një muaj më parë.

Por ambasadori amerikan Xhin Krec ka deklaruar se zyrtarët e Uashingtonit janë në kontakt të rregullt me zyrtarët e qeverisë së Tripolit. Ai thotë se të paktën disa zyrtarë libianë do të preferonin të ndiqnin shembullin e zotit Kusa, por i pengon frika.

Zoti Krec thotë se një dorë e mirë nga pjesëtarët e familjes Gadafi dhe anëtarë të njësive ushtarake dhe të sigurimit, të afërt me Gadafin kanë vendosur të bëjnë qëndresë deri në pikë të fundit përkrah udhëheqësit libian, pasi nuk mendojnë se kanë alternativë për një të ardhme tjetër.

Ai thotë se përpjekjet amerikane dhe goditjet ushtarake të NATO-s gjatë ditëve të fundit kundër elementëve të qeverisë së Tripolit synojnë pjesërisht të përshpejtojnë largimin e figurave të luhatura të qeverisë.

Ambasadori u detyrua të largohej nga Libia në dhjetor, pas publikimit nga Wikileaks të dokumentave që faqja elektronike pretendon se ishin marrë nga komunikime sekrete të personelit të ambasadës që e përshkruanin me nota negative Moamar Gadafin. Ambasada amerikane u mbyll në shkurt, pasi filloi konflikti civil.

Ambasadori ka deklaruar se ai dhe stafi i tij vazhdojnë kontaktet me libianë në zona nën kontrollin e kryengritësve si dhe të qeverisë. Përshtypja e përgjithshme, thotë ai, është se përfundimi i krizës kërkon largimin e Gadafit nga posti.

Gjithashtu Krec theksoi se numri i përgjithshëm i të vrarëve gjatë 2 muaj luftimesh në Libi mund të jetë deri në 30 mijë vetë, megjithëse shifra e saktë mund të mos dihet deri në përfundim të konfliktit.

Ambasadori e cilëson Këshillin Kombëtar Tranzitor të opozitës “një organizëm politik, që meriton përkrahjen e Amerikës”. Por ai thotë se Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të ndjekin rolin e Italisë, Francës dhe Katarit për të njohur këshillin si autoritetin legjitim të Libisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›