Dështon mbledhja e KS-së për Sirinë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka dështuar të arrijë në një deklaratë me të cilën do të dënohej goditja e dhunshme e protestuesve anti-qeveri nga ana e forcave të sigurisë së Sirisë, ku janë vrarë qindra persona.
Përpjekjet e udhëhequra nga shtetet perëndimore për një deklaratë, dështuan krejtësisht, për shkak të kundërshtimit nga Rusia dhe Kina.
Zëvendës ambasadori rus në OKB, Aleksander Pankin, theksoi në Këshillit të Sigurimit, se Moska nuk beson se goditja siriane ndaj demonstruesve opozitarë paraqet kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.
Ai ka tërhequr vërejtjen se ndërhyrja e jashtme në krizë, mund të çoj në luftë civile në Siri.
Debati në Këshillin e Sigurimit për Sirinë u bë pasi zyrtarët e Rusisë dhe Kinës, që kanë të drejtë vetoje, kanë shprehur kritika për intervenimin e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit, për mbrojtjen e civilëve në Libi, duke sugjeruar se ndërhyrja ka për synim ndryshimin e regjimit.
Britania, Franca, Gjermania dhe Portugalia, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, u kanë prirë përpjekjeve për arritjen e një deklarate të Këshillit të Sigurimit për Sirinë.
Shefi politik i OKB-së, Lynn Pascoe, theksoi se dëshmitë sugjerojnë se ndërmjet 350 dhe 400 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë së Sirisë prej mesit të muajit mars.