SHBA me plan për sulme kundër Iranit?

I dërguari i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Dan Shapiro, e bëri të qartë se Washingtoni shpreson që diplomacia dhe sanksionet do të arrijnë ta bindin Teheranin të mos tentojë prodhimin e armëve bërthamore.
Megjithatë, opsioni ushtarak mbetet në tryezë. Kjo është hera e parë që nga Shtetet e Bashkuara mbërrin kaq qartë porosia për mundësinë e një ndërhyrjeje të tillë.
Presidenti Barak Obama deri më tani ka lënë të kuptohet se sulmi nuk përjashtohet, por për momentin vëmendja do të përqendrohet tek rrugët diplomatike për zgjidhjen e krizës.
“Sigurisht, përpara përdorimit të forcës ushtarake, ne do të preferonim zgjidhjen diplomatike e mbase edhe presionin. Por kjo nuk do të thotë se për opsionin tjetër nuk është menduar. Madje më shumë sesa mendim, plani për sulmin është gati. Të gjitha masat e nevojshme janë marrë për t`u siguruar që çdo gjë të jetë gati”, tha Shapiro.
Një studim i Qendrës Kërkimore “Pew” tregon se 63 për qind e amerikanëve janë pro aksioneve ushtarake për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armës bërthamore.
Shumica e të anketuarve në Evropën Perëndimore po ashtu shprehin qëndrim të ngjashëm.