SHBA, ndryshojnë procedurat për vizë joemigruese
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka ndryshuar procedurën e aplikimit për viza joemigruese për në SHBA. Ambasada bëri të ditur dje me anë të një njoftimi për shtyp se nuk do të pranohen më aplikimet me e-mail, postë, apo faks, por vetëm në zyrat e saj në Tiranë. Kjo procedurë e re do të fillojë nga data 15 qershor, kur do të mund të caktohen takimet për vizë biznesi apo për turistë, vizitorë, studentë dhe punësim.
Aplikimi
Të gjithë personat që dëshirojnë të aplikojnë për vizat joemigruese, duhet të aplikojnë nëpërmjet formularit “DS-156”, që gjendet online në adresën: http://tirana.usembassy.gov/how_to_apply.html.
Ambasada amerikane këshillon që të gjithë aplikuesit të plotësojnë formularin online, vetëm nëse kanë një printer të lidhur me kompjuterin e tyre. Kjo, pasi me përfundimin e aplikimit, ata do të duhet të marrin kopjen e formularit të tyre, pa të cilin nuk do të pranohen në konsullatë. Në të kundërt, pra nëse ata dalin nga sistemi pa e printuar formularin, të dhënat që ata kanë plotësuar, zhduken. Pas plotësimit të formularit, aplikuesit do të duhet të dërgojnë sërish online një kopje të formularit në konsullatën amerikane, e cila më pas do t`i informojë për ditën e takimit, me anë të postës elektronike.
Pas kësaj procedure, aplikuesi duhet të paraqitet në ambientet e konsullatës, në datën e paracaktuar për të aplikuar për vizën joemigruese, bashkë me dokumentacionin përkatës, përfshi edhe kopjen e printuar të formularit. Ambasada amerikane bën me dije se edhe për ata që aplikojnë familjarisht, do të lihen takime të veçanta për çdo anëtar, pavarësisht nga mosha.
Dokumentacioni
Personat e përzgjedhur nga ambasada amerikane për të vijuar aplikimin për viza joemigruese, në momentin e zhvillimit të intervistës duhet të jenë të pajisur me disa dokumente. Kështu, duhet të kenë formularin “DS-156”, pasaportën, një fotografi me formatin e kërkuar nga ambasada, si dhe faturën, e cila dëshmon kryerjen e pagesës për vizë.
“Pagesa aktuale e aplikimit për vizë joemigrimi është 131 dollarë ose e barasvlershme në lekë sipas kursit të shkëmbimit të ambasadës amerikane në Tiranë, e paguar me para në dorë dhe është e pakthyeshme”, - thuhet në njoftimin për shtyp. Ambasada njoftoi se pas përcaktimit të datës së intervistave, aplikuesit do të duhet të paraqiten në orën 8 paradite, ndërsa një orë më vonë do të nisin edhe intervistat.