Basha: Ne, partia e premtimeve të mbajtura
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, u bëri dje thirrje shqiptarëve që të votojnë me ndërgjegje dhe pastërti vazhdimin e ndryshimit, pasi PD-ja është parti e premtimeve të mbajtura. Z. Basha, njëkohësisht kryetar i grupit të punës së PD-së në qarkun e Elbasanit, vijoi dje turin e tij, " Shqipëria po ndryshon", në komunat Përparim dhe Karinë të rrethit të Peqinit. Gjatë fjalës së tij me banorët e komunës Përparim, ministri Basha ka deklaruar: "Modeli i komunës Përparim, por edhe i përparimit si koncept, është një model i konsoliduar tashmë në Shqipëri". Duke u ndalur tek ndryshimet e mazhorancës qeverisëse ministri Basha deklaroi: "Sot, vetëm tre vjet e nëntë muaj pas ndryshimit të madh që Shqipëria votoi dhe që përfaqësohet sot nga mazhoranca e suksesshme, vendi nuk përmendet më si vendi i krimit, por si vendi që lufton krimin, trafiqet, drogën, në mënyrë të tillë që edhe agjencitë më prestigjioze të luftës kundër krimit thonë që Shqipëria sot është një vend jashtëzakonisht armiqësor për krimin e organizuar". Sipas tij: "Modeli i Edi Ramës është modeli i një klientele të ngushtë njerëzish, të cilët me abuzim dhe korruptim të plotë të shtetit vjelin djersën e shqiptarëve nëpërmjet hinkës së pushtetit dhe i kanalizojnë ato në xhepat e zotit Rama dhe shokëve të tij të ngushtë. Ky është një model kundër rritjes së rrogave, kundër NATO-s, kundër BE-së", - tha Basha.