SHBA nuk mbështet ndalimin e përgjithshëm të vizave për qytetarët rusë

“SHBA nuk mbështet një ndalim të përgjithshëm të vizave për qytetarët rusë”,- tha sot zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
“SHBA nuk do të dëshironte të mbyllte shtigjet drejt strehimit dhe sigurisë për disidentët e Rusisë, ose të tjerë që janë të cenueshëm ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut. Ne kemi qenë të qartë se është e rëndësishme të vihet një vijë midis veprimeve të qeverisë ruse dhe politikave të saj në Ukrainë, si dhe popullit të Rusisë”, tha zëdhënësi në një deklaratë.
Zëdhënësi shtoi se SHBA-ja “ka punuar me aleatët dhe partnerët për të vendosur kosto, duke përfshirë kufizimet e vizave për zyrtarët e Kremlinit”.
“Që nga 24 shkurti 2022, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë hapa për të vendosur kufizime vizash për gati 5,000 individë, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës”, tha ai. “Ne do të vazhdojmë të identifikojmë ata që janë përfshirë në pushtimin e Rusisë dhe do të promovojmë përgjegjësinë për sjelljen e tyre. Ne po kërkojmë të gjitha mjetet për të kërkuar llogari nga Kremlini.”
Josep Borrell, kryediplomati i Bashkimit Evropian, foli po sot kundër një ndalimi të plotë të vizave, duke thënë se “të ndalosh hyrjen për të gjithë rusët nuk është një ide e mirë”. Disa vende, duke përfshirë Republikën Çeke, Estoninë, Letoninë, kanë mbështetur ndalimin e vizave turistike për rusët. CCN
/rtsh.al/