SHBA, protesta e të indinjuarve, 200 të arrestuar
Vazhdon manifestimi i të indinjuarve nën moton Pushto Uoll Stritin në Nju Jork.
Ditën e djeshme janë arrestuar të paktën 200 veta, gjatë manifestimit që të indinjuarit e kishin emërtuar si Dita e Aksionit. Ndërkohë, manifestime paqësore janë zhvilluar edhe në qytetet të tjera amerikane. Situata më e vështirë është paraqitur në Nju Jork, ku deri në orët e para të mëngjesit, Manhatani jugor ka qenë i bllokuar nga forcat e policisë, të cilat kanë bllokuar futjen e protestuesve në Bursën e Uoll Stritit.
Në disa raste, policia është detyruar të përdorë forcën për të ndalur turmën, e cila mendohet se ishte e përbërë nga rreth 10 mijë veta. Pas rezistencës policore, e cila ka bërë të dështojë plani për tu futur në ambientet e Bursës, beteja është spostuar në pjesë të tjera të Manhatanit, ku është tentuar të bllokohen linjat e metrove.
Më tej, turma është drejtuar në urën Bruklin, ku janë shënuar edhe tensionet më të shumta me policinë. Por kjo e fundit ka arritur të parandalojë bllokimin e qarkullimit, duke e kufizuar manifestimin e të indinjuarve vetëm në pjesën pedonale të urës.